Telegrafi

Mbi dy mijë vizitorë në kalanë e Rozafës në Shkodër gjatë shkurtit

Vizitat turistike në kalanë e Rozafës në Shkodër kanë vijuar me ecurinë pozitive gjatë muajit shkurt, duke reflektuar rritje të numrit të vizitorëve vendas dhe të huaj për vitin 2023.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, përgjatë 28 ditëve të muajit shkurt, kalaja u vizitua nga 2 215 vizitorë, ose 469 më shumë se gjatë të njëjtës periudhë në vitin 2022.

Kalaja e Rozafës është atraksioni kryesor turistik i qytetit të Shkodrës. Edhe viti që lamë pas rezultoi i suksesshëm sa i takon vizitueshmërisë, duke regjistruar shifra në rritje krahasuar me vitet pararendëse, shkruan KosovaPress.

Kalaja e Rozafës është monument historik. Në muret rrethuese të kalasë, të cilat përfshijnë rreth 9 ha tokë, dallohen qartë ndërtimet e katër periudhave: Balshajve (shek. XIV), zotërimi venecian (shek. XV), pushtimi osman (shek. XVI-XVII), dhe e Bushatllinjve (shek. XVIII-XIX).

E ndërtuar gjatë mbretërisë Ilire, përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të besës legjendare. /Telegrafi/