Policia në Zelandë të Re, ka bërë të ditur se i dyshuari për masakrën në dy xhami në Christchurch do të akuzohet për 50 vrasje dhe 39 tentim vrasje.
Supremacisti i bardhë australian, Brenton Tarrant do të paraqitet të martën në gjykatë nëpërmjet një video linku, ku nuk do t’i lejohet të kërkojë shfajësim, transmeton Telegrafi.
Fillimisht, atë e ngarkuan me vetëm një rast të vrasjes, vetëm pak kohë pasi kreu veprimin mizor, ndërsa hetimet vazhdonin.
Kjo vjen pas një raporti nga Gjermania, se gjatë vitit 2017, i dyshuari pagoi 2,200 euro për Generation Identaire, një grup i ekstremit të djathtë kundër emigracionit në Francë. Agjencia DPA dhe media tjera gjermane, raportojnë se zyrtarët e inteligjencës e kanë informuar parlamentin e Gjermanisë për pagesat, gjatë një takimi të komitetit të punëve të brendshme të Bundestagut.
Generation Identaire është një grup i të rinjve, krah i bllokut më të madh Les Identaire, që ka disa grupe të infiltruar në Gjermani, Australi dhe Itali. Më 2012, rreth 70 anëtarë të grup, okupuan një xhami pjesërisht të ndërtuar në Portiers.
Gjatë javës së kaluar, Martin Sellner që është zyrtari më i lartë i Identitarian Movement në Austri, bëri të ditur se është gjetur një “donacion me shumë enorme” prej 1,500 eurove që e ka bërë Tarrant më 2018, mirëpo nuk ka thënë se kjo ka të bëjë me masakrën në Christchurch.
Në sulmin e 15 marsit, autori që veproi i vetmuar vrau 42 persona në xhaminë Al Noor, si dhe tetë të tjerë në qendrën islamike Leenwood, duke lënë dhe 50 të lënduar.
Deklarata e lëshuar së fundmi, bën të ditur se mbi Tarrant do të ngrihen edhe akuza tjera, duke mos bërë të ditura detajet, për shkak se rasti është ende nën hetime. /Telegrafi/