Në Turqi, në 24 orët e kaluara janë raportuar 4,674 raste të reja me coronavirus, duke rritur kështu bilancin në gjithsej 90.980, tha sot ministri i Shëndetësisë Fahrettin Koca.
Ky është numri më i lartë i rasteve të coronavirusit jashtë Evropës dhe SHBA-së, transmeton Reuters.
Siç thuhet më tej, 123 njerëz kanë vdekur në 24 orët e kaluara, duke çuar bilancin e përgjithshëm në 2,140.
Deri më tani, 13,430 persona janë shëruar dhe 39,703 persona janë testuar në 24 orët e fundit.
Sipas të dhënave të Worldometers, Turqia renditet e shtata në botë me numrin e të prekurve me coronavirus, pas SHBA-së, Spanjës, Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe.
Presidenti Recep Tayyip Erdogan tha sot se një orë policore katër-ditore do të futet në 31 qytete që nga e enjtja, si pjesë e përpjekjeve për të frenuar përhapjen e infeksionit.
Duke folur pas mbledhjes së kabinetit, Erdogan tha se qëllimi i Turqisë është që të sjellë epideminë në një nivel që do të normalizonte jetën pas festës së Fitër-Bajramit në fund të majit, duke shtuar se disa hapa mund të merren para kësaj. /kp/Telegrafi/