Prej 9.500 organizatave të shoqërisë civile sa figurojnë të regjistruara në Kosovë, më pak se 1000 prej tyre janë aktive. 1 përqind e këtyre organizatave kanë të hyra mbi 4 milionë euro, ndërkaq 46 përqind e tyre nuk kanë fare të hyra financiare brenda një viti fiskal. Përveç të tjerash, konsiderohet se pak qytetarë po angazhohen nëpër OShC.
Këto janë disa nga të gjeturat nga raporti i Indeksit Kosovar për Shoqëri Civile për vitin 2017, të cilën e ka publikuar Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.
Dren Puka, drejtor i Programit për Hulumtim dhe Avokim në KCSF, ndër të tjerash ka thënë se shoqëria civile vazhdon të jetë faktor kyç në procesin e demokratizimit, e megjithatë, e ka cilësuar të vogël numrin e qytetarëve që angazhohen në OShC.
“Fatkeqësisht, angazhimi i qytetarëve në organizata të shoqërisë civile vazhdon të mbetet i ulët në raport me atë se çfarë ne do të donim ta shihnim, por megjithatë krahasuar me vitet e kaluara, konkretisht në vitet 2011 deri në 2015, studimet të cilat i kemi bërë, këtë vit vërehet një rritje e numrit të qytetarëve që janë angazhuar në forma të ndryshme në OShC”, ka thënë Puka.
Sipas këtij raporti, donatorët e huaj vazhdojnë të jenë burimi kryesor i OShC-ve në Kosovë, pavarësisht se fondet ndërkombëtare kanë shënuar rënie në vitin 2017.
“Trendi i financimit për OShC-të nga të gjithë indikatorët përmes të cilëve e masim këtë aspect, tregon një rënie. Donatorët e huaj vazhdojnë të jenë burimi kryesor i financimit për OShC, megjithatë ka rënë numri i organizatave të cilat përfitojnë të huaja. Trendi i kundërt janë fondet publike, ku ka një rritje të numrit të fondeve publike në përgjithësi”, ka thënë Puka.
Mirëpo, raporti tregon se fondet më të mëdha janë të fokusuara te 1 përqind e organizatave, kurse pothuajse gjysma e OShC-ve nuk kanë fare të hyra gjatë një viti fiskal. Sipas Pukës, OShC-të me numër kaq të madh të të hyrave mund të jenë OJQ donatore.
Lidhur me numrin e të punësuarve në OShC, raporti tregon se 1 përqind e organizatave kanë mbi 100 të punësuar, kurse 60 përqind e tyre kanë të deklaruar 1 deri në 4 punëtorë. E Puka thotë se krahasuar me sektorin publik dhe atë privat, OShC-të kanë pothuajse numër të barabartë të të punësuarve në aspektin e barazisë gjinore.
“Sektori i shoqërisë civile vazhdon të prijë në aspektin e barazisë gjinore në kuadër të stafit të tyre. Më konkretisht, të dhënat nga burime të ndryshme si Trusti Pensional i Kosovës dhe anketat e fuqisë punëtore të popullsisë së Kosovës, na tregojnë se raporti në mes të burrave dhe grave në të punësuar në sektorin e shoqërisë civile është pothuajse i barabartë me një përparësi apo dominim të lehtë të burrave”, ka thënë Puka.
Raporti ka nxjerrë të dhëna edhe në lidhje me shtrirjen gjeografike të OShC-ve në Kosovë. Prej numrit të përgjithshëm, afro 37 OShC janë të fokusuara në rajonin e Prishtinës, ani pse aktivitetet e tyre mund të shtrihen edhe më gjerë.
Kurse, afro 8 përqind e tyre figurojnë në Prizren, e një numër më i vogël i shtrirjes së OShC-ve vërehet në Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.
Ndërkaq, Puka thotë se në Kosovë figurojnë të regjistruara mbi 9500 organizata të shoqërisë civile të fushave të ndryshme. Prej tyre, raporti tregon se 530 janë ndërkombëtare, kurse vetëm 3788 OShC nga numri i përgjithshëm janë të regjistruara me numër fiskal.
Sa i përket deklarimit të punëtorëve, raporti tregon se në vitin 2017 vetëm 816 organizata i kanë deklaruar punëtorët e tyre.
Përndryshe, bazuar në të dhënat e këtij raporti, OShC-të vazhdojnë të jenë një ndër sektorët më të besuara për qytetarët, raporton kp.