Telegrafi

Mbi 80 shkolla në mësim online, vetëm në Prishtinë rreth 1000 nxënës të infektuar me coronavirus

Foto: Arkiv

Edhe këtë javë po vazhdon mësimi online në shumë shkolla në vend. Aktualisht 81 shkolla janë duke ndjekur mësimet në distancë për shkak të infektimit me COVID të nxënësve dhe mësimdhënësve.

Vetëm në Prishtinë janë 16 shkolla. Në kryeqytet numri i nxënësve të infektuar është rreth 1000 ndërsa i mësimdhënësve 175. Numri total i nxënësve të imunizuar ndaj COVID-19 në të gjithë vendin është mbi 47 mijë.

Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci deklaroi për KosovaPress se për dallim nga e enjtja dhe e premtja e javës së kaluar, numri i shkollave që janë në mësim online është më i ulët.

“Ne kemi raportin e ditës së djeshme pasdite, pra kanë qenë 81 shkolla për dallim nga 94 sa ishin të premten dhe 99 sa ishin të enjten. Domethënë numri po shpresojmë që po shkon duke u zvogëluar edhe pse mund të jetë pak e hershme të japim një përfundim të tillë, por janë shkollat ato që marrin vendime nëse do të shkojnë online ose do punojnë me prezencë fizike. Përveç këtyre shkollave nëpër shkollat të ndryshme janë edhe një numër klasash që punojnë online, këtu nuk kemi një evidencë shumë të saktë sepse në shumë shkolla ka klasa të tilla por ndodh që diku janë një ose dy klasë varësisht nga numri i infeksioneve që i kemi brenda”, ka deklaruar Pupovci.

Pupovci shtoi se numri i fëmijëve dhe të rinjve të vaksinuar nuk është i kënaqshëm. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë numri i nxënësve të imunizuar kundër COVID-19 është 47157.

Prishtina është komuna me më së shumti shkolla që po funksionojnë sipas skenarit C si pasojë e infektimeve me COVID të nxënësve dhe mësimdhënësve. Përmes një përgjigje me shkrim, Komuna e Prishtinës thotë se janë 16 shkolla si dhe tri çerdhe.

“Institucionet edukative arsimore dhe aftësuese të Komunës së Prishtinës që kanë kaluar në skenarin C janë SHFMU ‘Meto Bajraktari’, SHFMU ‘Xhemail Mustafa’, SHFMU ‘Pjetër Bogdani’, SHFMU ‘Mehmet Gjevori’, SHFMU ‘Ganimete Tërbeshi’, SHFMU ‘7 Marsi’, SHFMU ‘Azemi e Salihu’, SHML ‘Sami Frashëri’, SHML ‘Xhevdet Doda’, SHML ‘Prenk Jakova’, SHMM ‘Dr. Ali Sokoli’, SHML ‘Ahmet Gashi’, SHML ‘Eqrem Çabej’, SHML ‘Gjin Gazulli’, SHML ‘7 Shtatori’, SHFMU ‘Zenel Hajdini’ dhe çerdhet IP ‘Dielli’, IP ‘Gëzimi Ynë’, IP ‘Xixëllonjat’, thuhet në përgjigje.

Komuna e Prishtinës ka treguar edhe për numrin e nxënësve dhe mësimdhënësve të infektuar me COVID-19.

“Numri i mëdimdhënësve aktivë me COVID-19 janë 175. Numri i personalit tjetër aktiv me COVID-19 është 45. Numri i nxënësve aktivë me COVID-10 është 988”, vijoi përgjigjja.

Nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala thotë se masat në shkollë nuk po respektohen sa duhet, sidomos nga nxënësit, përkundër thirrjeve të vazhdueshme për një gjë të tillë.

“Masat që janë duke u respektuar të cilat janë të përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, natyrisht që pak a shumë janë duke i respektuar mësimdhënësit dhe nxënësit por kur flitet për nxënësit, nxënësit më pak i respektojnë ato masat edhe pse janë të këshilluar qoftë nga mësimdhënësit, prindërit apo edhe Ministria e Shëndetësisë. Mirëpo tani se fundmi ka një numër të rritur të mësimdhënësve dhe të nxënësve të cilët janë të prekur nga pandemia apo virusi COVID-19,dhe një numër goxha i madh i shkollave ka kaluar në mësimin online”, ka thënë ajo.

SBASHK mendon se mësimi me prani fizike dhe me numër të plotë të nxënësve është më efikas.

“Kërkesa jonë e vazhdueshme mbetet që të punohet me prani fizike dhe me numër të plotë të nxënësve, mirëpo nëse numri i nxënëseve që janë të infektuar apo i mësimdhënësve është i lartë atëherë task-forcat janë ato që e bëjnë raportimin e numrit të nxënësve të infektuar, numrin e mësimdhënësve dhe ato janë që e përcaktojnë një klasë, një shkollë apo edhe nivel të gjithë komunës si duhet të punohet”, theksoi ajo.

Në 24 orët e fundit 2033 qytetarë kanë rezultuar pozitivë me virusin COVID-19 ndërsa janë shënuar edhe 6 raste të vdekjes. /KP/