Sigurimi i një vendi të punës në Kosovë, në vendin me papunësinë më të lartë në Evropë, vazhdimisht është një proces i vështirë. Por, edhe pas gjetjes së një pune, mbetet sfidë të arrihet deri te dokumenti apo kontrata që siguron qëndrueshmëri në punë.
Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 28.8 për qind ose mbi 345 mijë është numri i të punësuarve në tregun e Kosovës. Nga Kjo shifër rreth 86 për qind kanë kontratë individuale, kurse pjesa tjetër punon pa kontratë. Nga personat që kanë të nënshkruar kontratë, 25 për qind thuhet se kanë kontratë të përhershme kurse 74.5 për qind kontrata të përkohshme.
Sektori privat mbetet punëdhënësi më i madh në Kosovë, por ky sektor jo në të gjitha rastet zbaton ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës dhe zakonisht është kritikuar nga sindikatat e punëtorëve dhe organizatat joqeveritare edhe për punësim pa kontrata të qëndrueshme të punës.
Arbesa ka dy vite që punon në një qendër tregtare në Fushë Kosovë. Ajo thotë se ka nënshkruar një dokument me subjektin afarist, por që sipas saj, nuk është kontratë e qëndrueshme.
“Ka dy vite që punoj në një qendër tregtare në Fushë Kosovë. Kam nënshkruar një dokument, por që unë mendoj se nuk është kontratë zyrtare, pasi askund nuk përmendet kohëzgjatja e saj. Puna në sektorin privat është e vështirë sepse ata (pronarët) nuk pyesin për letra, kur nuk i duhesh të largojnë”, thotë Arbesa.
Ndryshe, sipas Kontratës Kolektive të Kosovës ka tre lloje të kontratave të punës. Kontrata e punës që lidhet në formë të shkruar dhe nënshkruhet nga punëdhënësi dhe i punësuari dhe nuk përmban kurrfarë hollësisht për kohëzgjatjen e vet, konsiderohet si kontratë në periudhë të pacaktuar.
Kontrata e Punës, për kohë të caktuar, nuk mund të lidhet, duke u vazhduar për një periudhë më të gjatë se tri vite, kur i punësuari themelon për herë të parë marrëdhënie pune.
Por, në Ligjin e Punës, e njëjta kontratë thuhet se nuk mund të lidhet për një periudhë më të gjatë se 10 vjet.
Kurse, kontrata me detyrë specifike, si në Ligjin e Punës, po ashtu në Kontratën Kolektive, thuhet se nuk mund të jetë më e gjatë se 120 ditë brenda një viti.
Të gjitha këto lloje të kontratave duhet të përmbajnë kohëzgjatjen e orarit të punës, kohëzgjatjen e pushimeve, nivelin e pagës e të tjera.
Udhëheqës të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), theksojnë se më këto lloj kontratash me afat të caktuar, punëdhënësi mund të abuzojë me punëtorin.
Avni Ajdini, kryetar i BSPK-së, thotë se me këto kontrata shumë punëtorë nuk janë të sigurt në vendin e punës. Për këtë arsye, BSPK-ja, thotë ai, ka kërkuar që kontrata e përkohshme pas tre vitesh të konsiderohet si kontratë për një periudhë të pacaktuar.
“Pasi me këto kontrata punëdhënësit abuzojnë dhe me punëtorët, pasi kur dëshiron i largon nga puna. Dhe më pas, nëse procesi shkon deri të gjykata, punëtori nuk mund të përfitojë të drejtën. Pasi pas tre vitesh, punëtori ka pas kontratën e nënshkruar tri vite më radhë, ne konsiderojmë se ai punëtor e gëzon të drejtën e kontratës se përhershme”, tha Ajdini, për Radion Evropa e Lirë.
Ekspertë për çështje ekonomike konsiderojnë se përqindja e lartë e kontratave të përkohshme apo me afat të pacaktuar tregon joqëndrueshmërinë e tregut të punës në Kosovë.
Naim Gashi, ekspert i kësaj çështjeje, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se kontratat e përkohshme në të shumtën e rasteve janë në sektorin privat.
“Fatkeqësisht në Kosovë nuk kemi gjenerim afatgjatë të vendeve të reja të punës. Zakonisht vendet e punës janë në sektorin e ndërtimtarisë dhe bujqësisë, ku punësimi është sezonal dhe është e pamundshme që ndërmarrësit të nënshkruajnë kontrata afat gjate. Këto statistika tregojnë për një trend jo të mirë të krijimit të vendeve të reja të punës në Kosovë”, thekson Gashi.
Sipas të dhënave zyrtare, tregtia, arsimi dhe prodhimi janë tre sektorët që kanë numrin më të madh të të punësuarve.
Në anën tjetër Bashkimi i Sindikatave të Bashkuara të Kosovës, disa herë ka shprehur shqetësimin se në tregun e punës, konkretisht në sektorin privat ka shumë punëtorë që punojnë pa kontrata të punës. /REL/Telegrafi/