Një konferencë ndërkombëtare për Libanin në Paris ka mbledhur 1 miliard dollarë premtime për ndihmë humanitare dhe mbështetje ushtarake, sipas organizatorëve.
Financimi u nda midis ndihmës dhe forcave të sigurisë, njoftoi Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.
Ky i fundit synon forcimin e forcave të armatosura të Libanit në mënyrë që ato të mund të vendosen në jug të vendit si pjesë e çdo marrëveshjeje të mundshme për t’i dhënë fund luftës, siç ishte synuar pas konfliktit të vitit 2006, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Pa forca të armatosura libaneze dhe UNIFIL, nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në kufirin midis Libanit dhe Izraelit”, tha eksperti i Lindjes së Mesme, Rym Montaz.
“Si të tilla, përpjekjet franceze janë të rëndësishme dhe vendimtare për rrugën përpara”, shtoi Montaz.
Ndryshe, lidhjet historike të Francës me Libanin, një ish-koloni, dhe diplomacia e saj me ndikim, i japin Parisit vrull për të koordinuar “një përgjigje të duhur ndaj sfidës masive që tani paraqet lufta në Liban”.
Konferenca mblodhi mbi 70 kombe dhe organizata ndërkombëtare, me SHBA-në që premtoi pjesën më të madhe të ndihmës – 300 milion dollarë.
Gjermania premtoi 104 milionë dollarë ndihmë humanitare për Libanin dhe Sirinë fqinje.
Por, ekspertët kanë paralajmëruar se dhënia e ndihmës mund të jetë sfiduese për shkak të varësisë në rritje të Libanit nga një ekonomi informale dhe me para në dorë, e cila rrezikon korrupsionin.
Vendi, ku Hezbollahu funksionon efektivisht si shtet brenda shtetit, ka qenë pa president për dy vjet, ndërsa fraksionet politike nuk arrijnë të bien dakord për një të ri. /Telegrafi/