Festivali i Filmit Ballkanik dhe Kulinarisë çeli edicionin e tij të tetë në qytetin e Pogradecit. Këtë vit shfaqen 70 filma nga vende të ndryshme të Ballkanit.
“Ne kemi këmbëngulur shumë te prodhimet e reja të vendit, të Shqipërisë e Kosovës, por sidomos edhe të Ballkanit. Pra, mbi 70 filma që janë në konkurrim, më shumë se gjysma janë prodhime të krijuesve të rinj”, tha Fatos Baxhaku.
Amai Camila Saraceni është regjisore dhe koreografe italiane, e cila punon në Francë, ndërkohë që është pjesë e jurisë së festivalit. Ajo rikthehet në Shqipëri pas 48 vitesh.
“Erdha me mamanë time 48 vite më parë për të vizituar gjyshen time. Ajo ishte belge dhe e martuar me një grek që jetonte këtu. Mamaja ime është larguar që 20 vjeç në Argjentinë, ku u linda unë. Më kujtohet kur kam ardhur këtu, e para e huaj që hynte me frigorifer dhe me shumë gjëra të tjera”, thotë Amai Camila Saraceni.
Pas pesë ditëve të festivalit do të ndahen çmime për filmat më të mirë. /dita/