Qytetarët e Kosovës më 6 tetor do t’iu drejtohen kutive të votimit për Zgjedhjet Parlamentare.
Sipas listës preliminare të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Kosova ka 1 milion e 972 mijë votues. Ndërkohë është duke vazhduar edhe regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, të cilët do të mund të votojnë për zgjedhjet parlamentare.
Demokracia në Veprim edhe në këto zgjedhje do të bëjë monitorimin e fushatës zgjedhore si dhe ditën e zgjedhjeve.
Shpend Emini, drejtor i organizatës joqeveritare “Demokraci për Zhvillim”, cila funksionon në kuadër të “Demokracia në Veprim”, tha për Telegrafin se tashmë kanë filluar përgatitjet për të monitoruar gjithë procesin zgjedhor.
“Si koalicioni i organizatave joqeveritare kemi filluar përgatitjet për zgjedhjet, që në momentin që janë shpallë zgjedhjet. Kemi mbajtur trajnimin e parë për vëzhguesit të cilët do të përfshihen në proces, do të vazhdojmë edhe me trajnime tjera gjatë javës së ardhshme. Po ashtu si koalicion i organizatave joqeveritare, do të jemi të përfshirë edhe në monitorimin e fushatës zgjedhore, dhe do të kemi ekipin e vëzhguesve gjatë zgjedhjeve të cilët do të jenë të vendosur në çdo qendër të votimit, pra do të jenë mbi 2 mijë 500 vëzhgues të cilët do të vëzhgojnë procesin zgjedhor”, ka theksuar ai.
Mes tjerash, Emini foli edhe pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje.
“Sa i përket pjesëmarrjes së votuesve në ditën e zgjedhjeve duke krahasuar me zgjedhjet e kaluara, pra që nga viti 2010 kemi parë një rënie por kjo nuk ndikon në mënyrë drastike sa i përket procesit zgjedhor, edhe në këto zgjedhje presim që të ketë ulje të votuese të cilët do të dalin në zgjedhje, e posaçërisht të rinjve, pasi që nga të rinjtë ka pasur një ulje në proceset e kaluara, por edhe kjo ulje nuk do të ketë ndonjë ndikim në rezultatin apo procesin zgjedhor në tërësi”, ka thënë ndër të tjera Emini.
Sa i përket daljes së votuesve në zgjedhje, për Telegrafin është deklaruar edhe Valmir Ismaili nga organizata jo qeveritare Demokracia Plus.
Ismaili tha se nuk pret ndonjë dallim në pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit, krahasuar me ato të vitit 2017.
“Zakonisht, pjesëmarrja në zgjedhjet nacionale është sillur ndërmjet 40 dhe 45%, dhe në këto margjina pritet të jetë dalja edhe në zgjedhjet e këtij viti. Një gjë duhet pasur parasysh, për shkak të mënyrës se si është e ndërtuar lista e votuesve në Kosovë, dalja në 45% në zgjedhje, nënkuptoj dalje mbi 60% të atyre që jetojnë në Kosovë, e që nuk është përqindje e vogël”, tha ai.
Ismaili tregoi se çka ndikon negativisht në daljen e qytetarëve për të votuar në zgjedhje.
“KQZ, organizatat joqeveritare dhe vetë subjektet politike do të duhej që të kishin fushata të mirëfillta edukuese për votuesit në mënyrë që të ketë një dalje sa më të madhe, por edhe që të ketë sa më pak vota të pavlefshme. Fatkeqësisht, fjalori që është duke u përdorur nga përfaqësuesit e disa subjekteve politike ndikon negativisht në daljen e qytetarëve për të votuar në zgjedhje”, deklaroi ai.
Ndryshe, Telegrafi një një sondazh të bërë në faqen zyrtare në Facebook, ka pyetur qytetarët nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e tetorit…
Në pyetjen: A do të votoni në zgjedhjet e 6 tetorit, kanë votuar gjithsej 6.700 persona, prej tyre 69 për qind kanë shprehur gatishmërinë për të votuar, ndërkaq 31 për qind, nuk do të dalin në votim.
Ndryshe, fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, ajo do të fillojë më 25 shtator dhe përfundon më 4 tetor. Organizimi i zgjedhjeve të parakohshme paralementare do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës afro 6 milionë euro./Telegrafi/