Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2021 flasin për 2,160 shkurorëzime. Ndërsa të dhënat për këtë vit, saktësisht për pesë muajt e parë të vitit janë 623 shkurorëzime, me majin që ka regjistruar më së shumti raste divorci me 143 të tilla.
Mosha që më së shumti ka pasur shkurorëzime gjatë vitit të kaluar ka qenë mosha prej 25 deri 29 vjeç, me 465 shkurorëzime.
Numri më i lartë i shkurorëzimeve sipas vendbanimit të përhershëm ne komunë dhe kohëzgjatjes së martesës për vitin e kaluar ishte komuna e Prizrenit, me 189 shkurorëzime.
Sociologu Jeton Brajshori tregon për KosovaPress se xhelozia dhe problemet ekonomike janë dy prej arsyeve që çojnë deri në krisjen e raporteve mes bashkëshortëve.
Mirëpo, ai mendon se divorci është zgjidhja më e mirë kur ka dhunë, sidomos nëse çifti ka edhe fëmijë.
“Ekzistojnë shumë shkaqe të divorceve, mirëpo arsyet kryesore pse kemi divorc është xhelozia në pikë të parë, shkaqet ekonomike, problemet mentale të partnereve… Divorcet ndikojnë jashtëzakonisht shumë në psikologjinë e çiftit, mirëpo prapë së prapë nëse çifti është martuar për një kohë dhe ka fëmijë, atëherë në qoftë se ka dhunë në familje, prapë se prapë divorci shihet që është më mirë sesa fëmijët të rriten duke parë dhunë në familje, pasi edhe ata e përjetojnë rëndë. Mirëpo për të dyja palët është më mirë që të ketë divorc”, tha ai.
Brajshori mendon se arsimimi i femrave ka ndikuar që të ndryshohet mendësia duke bërë që ajo të vendos vetë për jetën e saj dhe të mos sakrifiojë veten për imazhin e familjes duke duruar gjithçka.
“Arsyeja pse kemi divorc tek ne të shumtë është për arsye se tash edhe femrat kanë filluar të shkollohen, të bëjnë karrierë, të shohin jetën më ndryshe, dhe nuk është si më përpara që ka qenë kur familja ka vendosur gjithçka për vajzën dhe sot një vajzë e shkolluar thjesht e kërkon karrierën, shkollimin dhe nuk përjeton tortura që kanë përjetuar më herët vajzat tek ne, për arsye se dëshiron ta bëjë jetën vet si të dojë dhe është një shkak kryesor për divorcin…
Edhe trashëgimia në qoftë se vajzat e marrin trashëgiminë nga familja atëherë trashëgimia ju siguron një liri, pavarësi, më shumë për vetën dhe në këtë mënyre mund t’i përkushtohet më shumë vetes”, ka shtuar Brajshori.
Megjithatë, numri prej 623 shkurorëzimesh vetëm për pesë muajt e parë të këtij viti sipas sociologut Brajshori, për një vend të vogël siç është Kosova është i lartë.
Ai tha se një problem tjetër që shfaqet mes çiftit janë edhe qëndrimet e ndryshme rreth planifikimit familjar që mund të çojnë në divorc.
“Një prej problemeve është edhe planifikimi familjar, ndoshta dikush nga çifti për shkak te shkaqeve ekonomike nuk dëshiron që të ketë fëmijë, dhe për këtë arsye ekzistojnë probleme të shumta, të cilat na lidhin me divorcin, numri do të shkojë të rritet. Sa më shumë që të jemi të emancipuar, një femër e shkolluar, atëherë do ta shohë jetën ndryshe dhe divorci në vitet e ardhshme do të jetë më i larte”, shtoi ai.
Ndryshe nga shkurorëzimet, gjatë pesë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 7811 raste të kurorëzimit të dashurisë në martesë në Kosovë.