Në Kongresin e dytë Ekonomik të Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane që do të mbahet më 9-10 nëntor në Frankfurt pritet të marrin pjesë mbi 600 kompani.
Në kuadër të këtij forumi ekonomik, do të mbahet edhe një panair me qëllim që t’i jepet hapësirë prodhuesve kosovarë për tregun e Evropës dhe të Gjermanisë.
Anëtari i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani, Vëllaznim Kelmendi, thotë se një numër të madh të firmave gjermane do të jenë në Kongres, ku deri më tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen shumë afaristë shqiptarë që janë anëtarë të Unionit, po ashtu edhe shumë firma gjermane dhe shqiptare që janë në Gjermani.
Kelmendi ka ftuar të gjitha kompanitë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës që të marrin pjesë në Kongresin e Frankfurtit për të shkëmbyer idetë dhe kapitalin e tyre me biznesmen të suksesshëm.
“Në Kongresin që do të mbahet në Frankfurt të Gjermanisë më datën 9 dhe 10 nëntor të ftuar janë në radhë të parë anëtarë të Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane, që ne tani kemi 450 anëtarë dhe njëkohësisht janë të ftuar edhe prodhues nga Kosova. Krahas kësaj mund të ketë edhe shumë firma që nuk janë anëtarë të Unionit të Bizneseve Shqiptare këtu në Gjermani. Por, qëllimi i këtij Kongresi është që ata të cilët nuk janë anëtarë në Union, të kenë mundësinë të shohin veprimtarinë, sukseset dhe të mirat e anëtarëve tanë që i kemi përmes këtij forumi ekonomik”, thotë Kelmendi, në një intervistë për KosovaPress.
Përfaqësuesi i kompanisë “Kelmendi GmbH”, shton se si gjithmonë Unioni i Bizneseve shqiptare-gjermane si një urë lidhëse për bizneset ka ftuar në këtë Kongres edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, Shqipërisë dhe rajonit.
Përveç panairit në Kongresin e Frankfurtit do të ketë edhe një takim B2B më prodhues të ndryshëm, më qëllim që t’u hapen dyert firmave nga Kosova.
“Ka qenë mjaft e nevojshme që të organizohet një takim të tillë me biznese , prodhuesit nga Kosova t’iu jepet rasti që të takohen me anëtarë të Unionit të Bizneseve Shqiptare gjermane dhe aty të bëhet një kontakt B2B. Si Union si gjithmonë i kemi hapur dyert për të gjithë prodhuesit nga Kosova, të profileve të ndryshme, duke filluar prej produkteve ushqimore, përpunimit të drurit si dhe profile të ndryshme të prodhimit që ka Kosova”, thekson ai.
Kelmendi pohon se do të ketë kompani shumë të fuqishme gjermane që do të marrin pjesë në këtë Kongres dhe prodhues të shumtë nga Gjermania. Ai thotë se deri më tani janë 60 kompani që kanë konfirmuar ardhjen nga Kosova, që janë kryesisht prodhues.
“Vet fakti që po iu jepet rasti prodhuesve nga Kosova që të kenë një kontakt direkt me anëtarët tanë, mendoj që vetëm kjo mjafton. Krahas kësaj ne kemi ftuar shumë kompani gjermane të profileve të ndryshme ku të gjitha e kanë mirëpritur dhe ne mendojmë se përmes këtij forumi ekonomik që do të mbahet në Frankfurt, do të jenë mbi 600 firma shqiptare, gjermane, prodhues nga Kosova, nga Shqipëria, Maqedonia si dhe shumë kompani nga vise të tjera ku jetojnë shqiptarët”, thotë Kelmendi.
Duke parë rëndësinë e Kongresit të dytë ekonomik që do të mbahet në Kongreshaus der Mese, Kap Evropa në Frankfurt, GIZ-i gjerman ka përkrahur Unionin me një shumë të konsiderueshme rreth 42 mijë euro. /KP/