Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta kanë bërë që rrugët dhe trotuaret të bëhen pothuajse të pakalueshme nga ngricat. Kjo ka sjell edhe lëndime tek disa qytetarë të cilët gjatë ecjes janë rrëzuar.
Vetëm në spitalin Klinikë në Tetovë, mbi 50 persona kanë kërkuar ndihmë për fraktura të pësuara.
“Për pesë ditë vetëm në Repartin e Ortopedisë në Spitalin e Tetovës janë pranuar mbi 50 pacientë me fraktura, nga të cilët tre janë operuar për shkak të lëndimeve, kurse të tjerët janë lëshuar në shtëpi. Tek ky numër përfshihen edhe personat që kanë pësuar lëndime në qendrën e skijimit në Kodrën e Diellit. Mes grupmoshave fëmijët dhe të moshuarit janë ata që më së shumti kanë marrë lëndime trupore nga rrëshqitjet, dhe më të shpeshta janë lëndimet e gjymtyrëve. Nga Reparti Ortopedik bëjnë apel që të mos dilet pa nevojë jashtë dhe të mbahet veshje dhe këpucë adekuate për këtë kohë”, thanë nga Reparti Ortopedik – Tetovë.
Ditë më parë, kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami doli bashkë me punëtorët e NPK-së për të pastruar trotuaret nga bora. Siguria dhe lëvizja e lirë e qytetarëve është detyrë e jona, u shpreh ai.
“Duke pasur parasysh kërkesat e qytetarëve, në ndërmarrje por edhe në komunë, që në trotuare ka pasur ngrica dhe rrezik edhe për lëndime ne sonte dolëm që të vëzhgojmë në terren se si punëtorët e Ndërmarrjes po bëjnë pastrimin nga ngricat, dhe në këtë plan do kisha dashur që të falënderoj të gjithë të punësuarit në Ndërmarrje, të cilët bëjnë pastrimin e trotuareve që qytetarët të mund më lirshëm të lëvizin nëpër rrugët e qytetit”, tha Kasami.
Ndryshe edhe gjatë ditëve në vijim pritet të mbizotërojnë temperatura të ulëta./TV21/