Telegrafi

Mbi 46 mijë veteranë të luftës, Mustafa: Numri tejkaloi parashikimet

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës është shqyrtuar Raporti i Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit dhe veteranit të UÇK së.

Kryeministri Isa Mustafa tha se numri ka tejkaluar parashikimet, por sipas tij, pas rekomandimeve të FMN-së, mbetet që kjo çështje, siç tha ai, të rregullohet në të ardhmen.

Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Arban Abrashi tha se bazuar në vendimin e qeverisë, komisioni qeveritar ka përfunduar punën për verifikimin e veteranëve luftëtar dhe numri i tyre është 46 mijë e 230.

E, kryeministri Isa Mustafa tha se numri tejkalon të gjitha parashikimet dhe qëndrueshmërinë buxhetore.

“Kemi qëndrim të prerë te FMN-së. Por, me rëndësi është të përmbyllet kjo evidencë dhe çështjet të mbesin për t’u trajtuar në të ardhmen. Raportin si të tillë e pranojmë por çështjet mbesin që më tutje të rregullohen”, tha ai.

Qeveria ka miratuar edhe propozim-vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të Bankës Themelore të Bankës së Lubjanës në Prishtine, të cilat ndodhen në zonën kadastrale në Prishtinë, për nevojat e Qeverisë së Kosovës.

Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për krijimin e Task-Forcës me qëllim të anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare të kulturës.

Qeveria po ashtu miratoi propozim vendimin për aprovimin e projektit për procesin e liberalizimit të vizave dhe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Ministri për Integrime, Bekim Çollaku tha se është e rëndësishme që qytetarët të jenë të informuar për të gjitha përfitimet nga MSA, por dhe sfidat që bartë zbatimi i kësaj marrëveshje e po ashtu dhe për liberalizimin e vizave.

“Jemi në fushatë informuese edhe me bizneset për marrëveshjen e MSA-së. Është e nevojshme që fushata ndërgjegjësuese për liberalizim. Andaj për këtë qëllim jemi dakorduar që të i informojmë në detaje rreth të drejtave dhe detyrimeve që dalin nga liberalizimi. Ky projekt parashihet të ketë një vlerë prej 200 mijë euro. 100 mijë euro nga UNDP dhe 100 MIJË nga Ministria e Integrimit evropian”, tha ai.