Site icon Telegrafi

Mbi 4,000 shqiptarë kanë mbërritur në Britani me gomone këtë vit

Gazeta britanike “Daily Mail” raporton se deri tani, këtë vit, më shumë se 4,000 shqiptarë kanë kaluar kanalin e La Manshit për të mbërritur nga Franca në Angli.

Por sipas burimeve zyrtare, të cituara nga “Daily Mail”, rritja e numrit të shqiptarëve vjen si pasojë e përdorimit të taktikave të reja të trafikantëve dhe dobësimit të ligjeve të “skllavërisë moderne” në Mbretërinë e Bashkuar.

Duke shfrytëzuar hapësirat ligjore, shqiptarët që mbërrijnë në Angli pretendojnë se janë trafikuar apo shfrytëzuar, dhe kjo e bën më të vështirë deportimin e tyre.

“Shqiptarët paguajnë më shumë dhe u garantohet qëndrimi në Britani. Këta njerëz vijnë në vendin tonë dhe shpesh shmangin largimin duke shfrytëzuar ligjet e skllavërisë moderne”, citohet burimi i Ministrisë së Brendshme.

Duke cituar burime nga Ministria e Brendshme në ishull, shifrat e personave që kalojnë ilegalisht pritet të rriten ndjeshëm këtë vit, krahasuar me një vit më parë që arritën në nivelin e 28500 emigrantëve. Deri tani, numri i emigrantëve të paligjshëm që kanë hyrë në Britani ka arritur në 20000, çka do të thotë se 1/5-ta e tyre ishin shqiptarë.

Nga po të njëjta burime raportohet se vetëm në qershor-korrik kanë mbërritur 1075 shqiptarë me varka të vogla, të cilët gjejnë oferta të mira përmes rrjeteve sociale, sidomos TikTokut. Në javët edhe muajt e fundit, videot e gomoneve të mbushura me emigrantë janë përhapur gjithmonë e më shumë, ku nuk kanë munguar edhe incidentet në det të hapur. /Telegrafi/

Exit mobile version