Gati gjysma e nxënësve në Kosovë apo 40.1% qëndrojnë online mbi 3 orë gjatë ditës, ndërsa 24.1% e tyre s’kanë asnjë kufizim nga prindërit, përderisa rreth 20 përqind të nxënësve të klasave të 5-ta rrinë më shumë 5 orë në ditë mediet sociale. Këto rezultate dalin nga gjetjet e hulumtimit
Ndikimi i medieve sociale të nxënësit në Kosovë – një studim nga perspektiva e mësimdhënësve, të realizuar nga dy profesorët e Departamentit të Gazetarisë, Arben Fetoshi dhe Faton Ismajli, dhe është mbështetur nga SBASHK-u.
Nga ky hulumtim dolën rekomandime për prindërit, mësimdhënësit dhe institucionet përgjegjëse.
“Në mjedisin e shtëpisë, nxënësit të ndjejnë qasje të balancuar të ndërmjetësimit nga prindërit dhe të nxiten drejt përdorimit edukativ të teknologjisë digjitale. Në mjedisin e shkollës, nxënësit t’i ndjejnë benefitet e medieve nga ndërveprimi me mësimdhënësit, përmes aplikimit funksional që nxit mendimin kritik dhe përmirëson aftësitë digjitale; Mbikëqyrje, kufizime dhe kontroll të harmonizuar sa i përket llojit, përmbajtjeve dhe kohës së përdorimit të medieve, si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm mësimdhënës-prindër”, ka thënë profesor Arben Fetoshi.
“I kemi pyet fëmijët se çka ju intereson në mediet sociale 35.8% e nxënësve të anketuar janë deklaruar për përmbajtjet me humor, 26.3% për argëtim dhe lojë, 24.7% për përmbajtjet edukuese, 9.5% për përmbajtjet në trend / virale dhe 3.7% për përmbajtjet me dhunë. Pra, një pjesë e fëmijëve, janë përgjigjur shikojnë edhe dhunë”, ka thënë profesori Faton Ismajli.
Emergjencë kombëtare vlerësohet futja e lëndës së edukimit medial në shkolla. Hulumtimi është realizuar me 651 nxënës të klasave të pesta në të gjithë Kosovën, si dhe me 131 mësimdhënës të klasave të pesta./RTK