Site icon Telegrafi

Mbi 4 mijë familje në Ferizaj, ndihmohen me pako ushqimore e higjienike

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu ka bërë të ditur se gjatë ditëve të fundit mbi 4 mijë familje janë ndihmuar me pako ushqimore e higjienike.

Aliu theksoi se pandemia COVID-19 ka vendosur shtetin para sfidave për të ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë.

“Dora për dorën ka nevojë e me patjetër edhe ne për njëri-tjetrin. Pandemia e virusit COVID-19, na vendosi para provave e sfidave, për të përthekuar çdo nevojë e dëgjuar çdo zë që thërret për ndihmën e shtetit. Këto ditë kur kemi tejkaluar numrin e 4000 familjeve që iu gjendëm pranë me pako ushqimore e higjienike, asesi nuk mund të mos kishim syrin hapur e veshin gati për të parë, dëgjuar e realizuar çdo kërkesë të grupeve sociale më të ndjeshme”, shkruan Aliu.

Kryetari i Ferizajt bëri të ditur se kanë shpërndarë ndihma për të familjet në nevojë, për personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushqyese dhe komunitetet joshumicë.

“Që nga organizatat me bazë në komunitet, familjet e personave me nevoja të veçanta, sindromën Doën, qendrat e kujdesit ditor e deri tek nënat vetushqyese, komunitetet etnike joshumicë, rome, ashkanli, egjiptiane e të paktë serbë në Ferizaj, ishin caku ku dora e Komunës i shërbeu për të tejkaluar vështirësinë përmes gati 1000 pakove ushqimore e higjienike. Ferizaj solidar është logo e qytetit që drejtoj, shprehur plot dashuri e vullnet gjatë kësaj pandemie”, shkruan Aliu. /Telegrafi/

Exit mobile version