Site icon Telegrafi

Mbi 340 biznese me 917 punëtorë aplikojnë për të përfituar nga subvencioni i pagës nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) njofton se deri më tani kanë aplikuar 344 biznese me 917 punëtorë për të përfituar nga masat 1.1, 1.2 dhe 1.3 në kuadër të Pakos për Ringjalljen Ekonomike nga pandemia COVID-19.

Sipas ATK-së, numri më i madh i punëtorëve që kanë aplikuar është për masën 1.3 apo mbështetja e punësimit të grave, për të cilën do të bëhet subvencionim i pagës deri në 50 për qind të pagës bruto mujore për tre muaj.

“Lidhur me Pakon për Ringjallje Ekonomike ATK ka përgjegjësi në zbatimin e masave 1.1, 1.2 dhe 1.3, për të cilat deri më tani kanë aplikuar 344 biznese për 917 punëtorë. Sipas statistikave, vërehet se numri më i madh i punëtorëve që kanë aplikua është për masën 1.3 apo mbështetja e punësimit të grave, për të cilën do të bëhet subvencionim i pagës deri në 50 për qind të pagës bruto mujore për 3 muaj, ndërsa pas përfundimit të periudhës tremujore subvencionohen kontributet pensionale për muajt e mbetur, konform kritereve dhe kufizimeve të përcaktuara me vendimin për zbatimin e masës 1.2”, thuhet në njoftimin e ATK-së, përcjell Telegrafi.

“Ndërsa, për masën 1.1 rikthimi në punë i atyre që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë, do të bëhet subvencionim i pagës deri në 50 për qind të pagës mujore bruto për tre muaj (maksimum deri në 170 euro bruto), si dhe masa 1.2 mbështetja për të punësuarit e formalizuar, do të bëhet subvencionim i kontributit pensional në vlerë prej 10 për qind të pagës bruto mujore për më së shumti 12 muaj, duke filluar nga muaji korrik 2021 deri në muajin qershor 2022”, vijon njoftimi.

ATK thotë se aplikimi është i hapur deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00.

“Të drejtë aplikimi kanë shoqëritë tregtare të regjistruara dhe punëdhënësit sipas legjislacionit të Kosovës. Aplikimi është i hapur deri më 15 tetor 2021 në ora 24:00. Udhëzuesin për aplikim për subvencionim sipas masave të lartcekura, e gjeni në dritaren ku edhe bëhet kërkesa, si dhe në ueb-faqe të ATK-së www.atk-ks.orgMultimedia – Manuale & Prezantime“. përfundon ATK. /Telegrafi/

Exit mobile version