Telegrafi

Mbi 300 mijë sirianë do të fitojnë shtetësinë turke

Turqia do të akordojë dhënien e shtetësisë për 300 mijë refugjatë sirianë, të cilët do të fitojnë të drejtën për të qëndruar në territorin e saj.

Dhënia e shtetësisë turke do të kryhet në mënyrë graduale, njoftoi e përditshmja Haberturk.

Ky proces do të përfshijë në fazën e parë rreth 30-40 mijë sirianë, nga një numër i përgjithshëm prej 2,7 milionë refugjatëve që jetojnë në Turqi, pasi janë larguar nga shtëpitë e tyre shkaku i luftës. Gradualisht, numri i atyre që do të fitojnë këtë të drejtë do të arrijë në 300 mijë.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi më 2 korrik se po studionte mundësinë e një natyralizimi të refugjatëve sirianë, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Vetëm 10 për qind e sirianëve në Turqi jetojnë në kampe pranë kufirit. Pjesa tjetër, ku përfshihen të gjitha kategoritë e tjera sociale, janë në përpjekje të vazhdueshme për t’u integruar në shoqërinë turke dhe në tregun e punës.

Turqia nuk i konsideron – nga ana ligjore – si refugjatë, por si “mysafirë”.