Telegrafi

Mbi 300 mijë euro për projektimin e spitalit anti-covid në Prishtinë

Ministria e Shëndetësisë tashmë ka përfunduar procedurat e tenderimit për projektimin dhe mbikëqyrjen profesionale të projektit të Klinikës Emergjente në QKUK e cila pritet të bëhet spital për të trajtuar të prekurit me COVID-19.

Ditë më parë ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj premtoi emergjencën e re si spital anti-covid, apo masë përgatitje për valën e dytë të pandemisë, mirëpo tek ky objekt aktualisht janë të kryera vetëm punimet e vrazhda.

Nga Ministria e Shëndetësisë bëhet e ditur se tashmë është dhënë tenderi për fazën e parë të punëve në këtë spital, mirëpo që nuk dihet se kur do të jetë i gatshëm.

“Në këtë fazë ku jemi tashmë është shpallur tenderi dhe ka përfunduar dhe një kompani është shpallur fituese me mandat që ta bëjë projektimin dhe mbikëqyrjen e projektit deri në fazën kur do të shpallet tenderi për kompaninë që do ti kryej punimet, dhe do ta furnizojë spitalin anti-covid me pajisjet e nevojshme”, deklaroi Faik Hoti për RTV Dukagjinin.

Për projektimin e spitalit anti-covid janë ndarë 300 mijë euro.

Hoti tutje njoftoi se Ministria e Shëndetësisë synon që të rekrutoj edhe specialistë të papunë.

“Ministria synon që të shpallë edhe një konkurs për rekrutimin e specialisteve të papunë dhe sigurisht një numër i tyre do të kyçen drejtpërdrejtë me shërbimet anti covid”, deklaroi Faik Hoti.

Së fundmi kemi pasur rritje të numrit të rasteve të reja me Covid-19, dhe si rrjedhojë u paralajmërua edhe shtrëngim i masave./RTV Dukagjini/Telegrafi/