Site icon Telegrafi

Mbi 30 raste të reja me COVID-19 në komunat me shumicë serbe në Kosovë

Nga 130 mostra të testuara në komunat me shumicë serbe në Kosovë, 32 kanë rezultuar pozitiv me koronavirus dhe një person ka humbur jetën, ka njoftuar Shtabi i Krizës në Komunën e Mitrovicës së Veriut më 2 dhjetor.

Ky është publikimi i fundit i situatës epidemiologjike në 10 komuna me shumicë serbe që nga 27 nëntori.

Sipas të dhënave të këtij shtabi, numri i rasteve aktive me koronavirus në komunat me shumicë serbe, është 525.

Në anën tjetër, Instituti i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar më 2 dhjetor se në 24 orët e fundit janë shënuar 16 raste të reja me koronavirus. Raste aktive me koronavirus janë 320, transmeton REL.

Sistemi shëndetësor në komunat e banuara me shumicë serbe në Kosovë është krejtësisht i ndarë nga sistemi shëndetësor qendror i Prishtinës zyrtare.

Autoritetet kosovare më herët kanë thënë se të dhënat nga komunat serbe nuk merren për arsye teknike.

Siç kanë thënë, në fillim të pandemisë, komunat me shumicë serbe i kanë dërguar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës raportet me të dhënat mbi gjendjen me COVID-19, por ndërkohë kjo praktikë është ndërprerë.

Të infektuarit me koronavirus nga komunat me shumicë serbe kryesisht mjekohen në Graçanicë ose në Mitrovicën e Veriut. Rastet më të rënda dërgohen në qendrat e mjekësisë në qytete të Serbisë, kryesisht në Krushevc.

Exit mobile version