Kosova ende vazhdon të mbetet si vend i pa prekur nga virusi vdekjeprurës, coronavirus.
Deri më tash në vendin tonë janë testuar gjithsejtë 33 raste të dyshimta të prekura nga ky virus e të cilat kanë rezultuar negativ.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Era Pireva.
“Deri tash janë testuar 33 raste të dyshimta me coronavirus, por të gjitha kanë rezultuar negative”, ka thënë Pireva.
Ndërkaq nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), kanë bërë të ditur se gjatë vikendit janë paraqitur tri raste të dyshuara.
“Gjatë vikendit janë pranuar tri raste të dyshuara, janë marrë mostrat dhe pritet që Institutit Kombëtarë i Shëndetësisë Publike të dalë me rezultatet”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së, për Telegrafin.
Kujtojmë se javën e kaluar në Maqedoni është konfirmuar rasti i parë me coronavirus, ndërkaq Kosova dhe Shqipëria vazhdojnë të mbesin të pa prekura nga ky virus.
Deri më tash në mbarë botën nga ky virus i cili dyshohet se ka prejardhjen nga Kina, kanë vdekur mbi 3 mijë persona. /Telegrafi/