Telegrafi

Mbi 3 milionë të papunë në Gjermani

Tregu i punës i bëri ballë krizës edhe në muajin nëntor. Numri i të papunëve ra për 13 mijë në 3 milionë e 215 mijë. Për muajt e ardhshëm ekspertët e Zyrës federale të Punës në Nuremberg presin që modeli i punës me orar të shkurtuar si dhe format e ndryshme të reduktimit fleksibël të kohës së punës nëpër ndërmarrje të ndikojnë edhe më tej, që rritja e numrit të të papunëve në dhjetor dhe janar të varet kryesisht nga kushtet atmosferike.

Bora dhe ngricat ndikojnë shumë në rritjen e papunësisë. Por parë në vazhdimësi duket se gjendja është stabilizuar, sqaron Frank-Jürgen Weise, kryetar i Kryesisë së Zyrës Federale për punë në Nuremberg. "Ka gati gjysëm viti që ka një zhvillim stabil në kërkesat për fuqinë punëtore. Mund të mendohet se ky është niveli më i ulët".

Kjo ngjitje përpjetë gjatë këtij viti rezultoi pasi njëherë ishte arritur niveli më i ulët si pasojë e recesionit të rëndë të ekonomisë gjermane, thekson Weise. Ashtu si më parë intensifikimi i kontratave për punë me orar të shkurtuar si dhe rënia e ofertës për krah pune kanë çuar në një zhvillim modest të numrit të të papunëve. Në bazë të vlerësimeve të para gjatë muajit nëntor rreth 100 mijë njerëz kanë pasur një punë me orar të shkurtër, pak më shumë se në muajin tetor. Sipas vlerësimeve të Zyrës Federale të Punës, rreth një milionë njerëz punojnë aktualisht me orar të shkurtuar.

Puna me orar të shkurtuar është sqarimi më i shpeshtë për gjendjen në të cilën ndodhet aktualisht tregu i punës në ekonominë më të madhe kombëtare të Evropës. Ajo papritmas po e përballon mirë krizën ekonomike dhe financiare.

Numri i të papunëve në 27 vendet anëtare të BE-së ka shënuar një rritje të lehtë në muajin tetor. Kuota shënoi një ngritje prej 0,1 pike në 9,3 përqind në krahasim me muajin shtator. Kështu njoftoi të martën Zyra e BE-së për statistikat, Eurostat me seli në Luksemburg. Në eurozonë kuota e papunësisë – duke hequr ndikimin sezonal mbeti e pandryshuar në 9,8 përqind. Kështu rreth 22,5 milionë njerëz ishin në BE të papunë, prej tyre rreth 15,6 milionë në eurozonë. Në krahasim me tetorin e vitit 2008 numri i të papunëve në Bashkimin Evropian është shtuar me pesë milionë, në eurozonë me rreth tre milionë. (dw)