Telegrafi

Mbi 280 mijë të rinj shqiptarë duan të emigrojnë

Rinia shqiptare shpreh dëshirën më të madhe për t’u larguar jashtë vendit. Sipas studimit të fondacionit gjerman mbi potencialin e emigrimit në Evropën Juglindore, vihet re një kontrast mes shteteve që nuk janë pjesë e familjes evropiane dhe atyre që janë anëtare të Bashkimit Evropian.

Të rinjtë nga Kroacia, Bullgaria, Rumania dhe Sllovenia shfaqin më pak interes ndaj emigrimit dhe e kundërta ndodh me vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos me Shqipërinë.

285 mijë persona planifikojnë të lënë Shqipërinë. Nga ku mbi 40 për qind e të rinjve shqiptarë shfaqin tepër dëshirë për t’u larguar drejt një vendi tjetër për më shumë se gjashtë muaj, më pas vjen Maqedonia e Veriut me 35 për qind, Kosova me 1 për qind më pak se ky i fundit apo të rinjtë serb me 30 për qind.

Gjermania është shteti më i zgjedhur nga të rinjtë shqiptarë për të jetuar, 67 mijë prej tyre në bazë të të dhënave të anketës, e më pas të rinjtë duan Anglinë dhe Italinë.

Emigracioni ka ndikuar edhe në braktisjen e shkollave nga nxënësit. Ky vit i ri shkollor kishte rreth 27 mijë të regjistruar më pak se vitin e kaluar në sistemin parauniversitar. Dhe ky numër parashikohet sipas studimeve, të ulet edhe më vitet në vijim. /TCH/