Udhëheqësi i Departamentit të Politikave Sociale dhe Familjare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Muhamet Gjocaj , ka bërë me dije se në Kosovë marrin ndihma mbi 26 mijë familje, ndërsa rajoni me më shumë familje që marrin ndihma sociale është rajoni i Mitrovicës me 5972 familje.
“Skema e familjeve të varfra bëhet me test të varfërisë, menaxhohet nga komunat dhe mbikëqyret nga Ministria e Punës. Për të përfituar këtë kategori duhet të plotësohen disa kushtet të cilat janë të vështira për t’i plotësuar”, ka thënë ai sot në emisionin e mëngjesit në RTK.
Sipas tij prej muajit në muaj, ndryshon nevoja për ndihma sociale. “Tani kemi mbi 26 mijë familje që marrin ndihmë sociale, pra ka familje që iu ndalet ndihma, pasi që i kalojnë moshën. Pra rritet numri i atyre që janë të aftë për punë”, ka thënë ai.
Gjocaj ka bërë me dije se MPMS, u jep përkrahje në trajnimin e atyre që të bëhen të aftë për tregun e punës. “Ne i japim ndihmë atyre edhe për të shikuar mundësinë për punësim”, ka thënë ai.
Sipas tij të gjithë ata persona që i plotësojnë kushtet për ndihma sociale, duhet që të orientohen tek qendrat për punë sociale. “Për 40 ditë duhet të nxirret vendimi qoftë pozitiv apo negative, kjo është e rregulluar në bazë të ligjit. Pra gjatë kësaj periudhe komisioni shkon e kontrollon familjen nëse i plotëson kushtet”, ka thënë ai.
Sipas tij komuniteti Romë, Ashkali dhe Egjiptas, është komunitet që merr më shumë pjesë në ndihma sociale, në krahasim me numrin e popullsisë, pasi që nuk mund që të gjejnë punë. Gjocaj, ka bërë me dije se në kuadër të përkrahjes nga MPMS, ka pasur edhe refugjatë që janë mbështetur.
“Në rajonin e Ferizajt marrin ndihma 4 mijë familje, nga rajoni i Gjakovës 1800 familje, nga rajoni i Gjilanit marrin ndihma 2700 familje, nga rajoni i Mitrovicës 5972 familje, nga rajoni i Pejës 2700 familje, nga rajoni i Prishtinës 6200 familje, nga i Prizrenit 2750 familje, pra rajoni i Mitrovicës del se është rajoni më shumë ndihma sociale”, ka thënë ai. /Telegrafi/