Telegrafi

Mbi 2500 tifozë në finalen e volejbollit të femrave, Intelektualët dhurojnë spektakël duke festuar titullin e kampionit

Ndeshja vendimtare në volejboll në konferencën e femrave është zhvilluar në qytetin e Gjilanit.

Palestra e sporteve ‘Bashkim Selishta – Petriti’ ishte nikoqire e një spektakli të pa parë deri më tani në volejbollin kosovar.

Vashat e Dritës ishin vendase përballë atyre nga Skenderaj dhe fitorja i bënte bardh e kaltërtet nga Gjilani kampione të Kosovës.

Kështu edhe ndodhi pasi Drita triumfoi 3-1 në sete për të marrë fitoren dhe titullin e kampionit.

Volejbollistet e Dritës kishin një përkrahje të jashtëzakonshme në këtë sfidë pasi përveç Intelektualëve thuajse e gjithë palestra ishte e mbushur në përkrahje të tyre.

Gjithsesi tifozët vendas e bënë të vetën pasi arritën t’i japin ndihmë të jashtëzakonshme vashave të Dritës për ta mbrojtur titullin e kampionit.

Titulli i parë këtë edicion Drita e fitoi në konferencën e Volejbollit, ndërsa bardh e kaltërtit së bashku me tifozët e tyre të jashtëzakonshëm po kërkojnë edhe në futboll titullin e kampionit ku janë lider në Superligë pesë xhiro para fundit. /Telegrafi/