Sigurimi i vazhdueshëm i barnave me kualitet të lartë për nevojat e të siguruarve është angazhimi i vazhdueshëm i punës së Fondit për Sigurim Shëndetësor (FSSH) dhe me listën pozitive të barnave mbulohet një sasi e madhe e barnave të shpërndara nëpër barnatoret që kanë marrëveshje me Fondin, duke ju ofruar të siguruarve mundësinë për përzgjedhje më të gjerë të barnave. Kështu deklaroi Orhan Ramadani, drejtoi i FSSH-së, sipas të cilit sasia dhe shumëllojshmëria e barnave që mund të merren me recetë ka arritur deri 1.210 barna, me emër të mbrojtur nga prodhues të ndryshëm, shkruan gazeta Koha.
Me barnat e Listës pozitive, thekson Ramadani, të siguruarit mund të furnizohen nga 776 barnatore të shpërndara nëpër territorin e Republikës së Maqedonisë prej të cilave, 695 janë barnatore nëpër mjediset urbane, 72 janë stacione farmaceutike, 6 janë barnatore mobile dhe 3 janë barnatore rurale.
Ai më tej informoi se rritja e numrit të barnatoreve që kanë marrëveshje me Fondin, rritja e buxhetit për barna, efektet pozitive të masave të ndërmarra nga Fondi dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë të cilat u implementuan viteve të fundit me qëllim që të sigurohet sasi e mjaftueshme e barnave për nevojat e të siguruarve, vërtetohen me të dhënat e raportit vjetor të vitit 2016, të dhëna që dëshmojnë rritjen e konsumit të barnave me recetë në kuadër të Fondit.
Sa për krahasim, në vitin 2002 për 8 milion receta janë ndarë 1,2 miliard denarë, në vitin 2008 për 10 milion receta janë ndarë 1,3 miliard denarë, ndërsa prej 01.09.2016 Fondi ka dyfishuar buxhetin për barnat me recetë respektivisht ka ndarë mjete prej me 2,55 miliard denarëve.
Nga barnat me recetë më të konsumuar gjatë viti 2016 janë Enalaprili, medikament për uljen e tensionit të lartë të gjakut, të e kanë konsumuar 176.321 ose 9,5% nga mesatarja e numrit të përgjithshëm të personave të siguruar, Metforminin e kanë konsumuar 91.471 ose 4,9% nga mesatarja e numrit të përgjithshëm të personave të siguruar dhe Diazepamin e kanë konsumuar 216.024 ose 11,7% nga mesatarja e numrit të përgjithshëm të personave të siguruar.