Enti Shtetëror për Revizion ka konstatuar disa parregullsi dhe probleme me personelin në Fondin e Sigurimeve Pensionale dhe Invalidor (FSPI).
Sipas raportit të Entit Shtetëror të Revizionit, vitin e kaluar në FSPI janë punësuar 206 persona me kontratë pune në kohëzgjatje nga 2 deri në 12 muaj, për të cilët Fondi kishte siguruar pëlqimin nga Ministria e Financave për kryerjen e detyrave të punës dhe për të cilat janë shpenzuar më shumë se 800.000 euro.
“Revizorët tregojnë se nuk ka evidencë për praninë e personave të punësuar, për këtë arsye ekziston mundësia e pagesës së mjeteve për personat që nuk kanë qenë të pranishëm në vendet e punës dhe nuk kanë kryer detyrat e tyre. Kontratat nuk parashikojnë obligim që personat e punësuar të dorëzojnë raporte për punën e kryer, gjë që nuk ofron siguri për përmbushjen e detyrave të punës dhe detyrimeve për të cilat janë angazhuar, ndërsa shumica e kontratave nuk janë të nënshkruara nga ekzekutuesit”, thuhet në raport.
Po ashtu, në raport theksohet se FSPI vitin e kaluar ka mbledhur rekord prej 63 miliardë denarë nga kontributet, por më shumë se 30 për qind nga mjetet e nevojshme për pagesën e pensioneve janë mbuluar nga transfertat shtetërore. Arsyeja për këtë është numri i pamjaftueshëm i personave të siguruar aktiv – shpenzimet e një pensionisti mbulohen nga dy punëtorë mesatarisht.
Sipas raportit, FSPI prej vitesh po përballet me mungesë të stafit profesional, veçanërisht në sektorët kyç, si njësitë rajonale, departamenti i IT-së dhe auditimi i brendshëm./Telegrafi/