Telegrafi

Maqedoni: 19 qytete pa raste aktive me COVID-19, prej 12 korrikut fillon vaksinimi pa termin

Situata me Covid-19 në vend vazhdon të stabilizohet. Në 19 qytete të vendit nuk ka raste pozitive me coronavirusit. Nëse një muaj më parë numri i aktivëve ishte rreth 1000 raste, dje ishte 130, nga të cilat në Shkup ka 54, në Tetovë 15, Kërçovë 14, Kumanovë 10.

Asnjë vdekje nuk është raportuar gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 27 pacientë regjistruar si të shëruar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Deri më tani, gjithsej janë bërë 893,681 teste për Covid-19.

Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Covid-19 në vend që nga fillimi i epidemisë është 155,716, numri i pacientëve të shëruar është 150,100, ndërsa numri i vdekjeve është 5,486.

Komisioni për Sëmundjet Infektive vlerësoi dje se nuk ka nevojë për të vendosur kufizime të reja, duke thënë se për momentin prioritet ka imunizimi i popullsisë.

Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë theksuan se ata e monitorojnë situatën epidemiologjike në vend dhe rajon.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, dje në një intervistë për “Utrinski Brifing”, tha se situata është shumë e qetë, nuk ka asnjë shenjë që ka përkeqësim të mundshëm të gjendjes epidemiologjike dhe për disa ditë me radhë nuk ka presion në spitale.

Nga MSH thonë se duke filluar nga 12 korriku, vaksinimi kundër Covid-19 do të bëhet në pikat ekzistuese të vaksinimit të qendrave shëndetësore dhe spitaleve në vend pa termine, ndërsa në sallat e sporteve do të bëhet vaksinim masiv./Telegrafi/