Telegrafi

Mbi 20 mijë euro dëme nga djegia e kontejnerëve në Tetovë

Vazhdon dukuria e ndezjes së kontejnerëve në Tetovë. Rreh 50 kontejnerë përfshihen nga zjarri brenda vitit në territorin e komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për kontejnerë të plastikës, të cilët shpesh herë nga pakujdesia përfshihen nga zjarri. Nga njësia e zjarrfikësve në Tetovë pohojnë se zjarret e këtilla më shumë ndodhin gjatë sezonit të vjeshtës dhe dimrit. Së fundmi, nga zjarri ishin përfshirë kontejnerët në qendrën tregtare Saranda, ndërsa zjarri kishte rrezikuar edhe banesat aty afër. Problem në vete është se hidhet edhe material tekstil që ndizet lehtë dhe më pas vështirë zjarri vendoset nën kontroll. Rrezikohen edhe veturat që ndodhen aty afër të parkuara pranë kontejnerëve.

“Zjarri i fundit rrezikonte edhe banesat që janë afër si dhe veturat e parkuara të banorëve. Kemi shumë raste të intervenimeve, kemi mbi 50 intervenime nëpër kontejnerëve por kemi raste me specifike sepse nuk e dimë se çka hidhet në ato kontejnerë, materie të dëmshme shpërthyese. Këto raste ndodhin gjatë kohës së dimrit si zakonisht më shumë. Edhe pse janë raste të izoluara megjithatë përbëjnë rrezik për qytetarët sepse afër kontejnerëve ka vetura dhe ndërtesa”, thotë Avni Ameti, komandant i njësisë së zjarrfikësve në Tetovë.

Ky fenomen nuk është i ri në Tetovë. Nga Ndërmarrja Publike Komunale në Tetovë, thonë se zjarri nuk është pasojë e mos marrjes në kohë të mbeturinave. Kërkojnë më shumë mirëkuptim. Statistikat tregojnë se në Tetovë, në vit digjen dhe dëmtohen rreth 70 kontejner të cilët jo vetëm që e dëmtojnë financiarisht ndërmarrjen por edhe japin një imazh të keq vetë qytetit.

Kjo dukuri ndodh vetëm gjatë orëve të natës kur të njëjtave u vihet zjarri nga persona të paidentifkuar deri më tash por ndonjëherë edhe nga pakujdesia. “Dëmet materiale janë diku prej 20 deri 25 mijë euro nga djegia e kontejnerëve. Kjo dukuri na ndodh si zakonisht gjatë stinës së dimrit, ku qytetarët hedhin mbetje nga djegia e druve dhe më pastaj zjarri përhapet. Kemi bërë kërkesë deri tek inspektorati që të jetë më aktiv në këtë drejtim, por është e pamundshme që çdo kontejner të jetë nën vëzhgim 24 orë. Qytetarët duhet të kenë më shumë vetëdije dhe ndërgjegje se zjarri krahas dëmit material, rrezikut poashtu shkakton edhe ndotje të ajrit. Nëse arrijmë që të ruajmë kontejnerët që mos dëmtohen, në anën tjetër ata mjete do të destinohen për të furnizuar ndërmarrjen me pajisje shtesë, veshje për punëtorët e kështu me radhë”, tha Samet Bislimi, udhëheqës i njësisë Higjiena në Tetovë.

Policia e Tetovës ka theksuar se ka raste të këtilla të denoncimit, por deri më tash nuk ka identifikuar kryerësit e këtyre veprave.