Telegrafi

Mbi 2 mijë vijues të ligjëratave të EVP-së morën certifikatat

Në këtë ceremoni, përveç zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuesve të divizionit shëndetësor të kampit amerikan Bondstill , përfaqësuesve të qendrave rajonale të Telemjekësisë në Kosovë, virtualisht, përmes video-konferencës të pranishmevë drejtpërdrejtë nga Universiteti i Arizonës në Tucson ( Arizona-SHBA) u është drejtur promotori i këtij programi, prof. dr. Rifat Latifi, drejtor i Programit të Telemjekësisë së Kosovës.

Ai e ka vlerësuar të suksesshëm këtë program për mjekësinë dhe shëndetësinë kosovare.

Dr. Ismet Lecaj, drejtor i Qendrës së Telemjekësisë së Kosovës ka bërë një prezantim të detajuar të aktiviteteve të dy cikleve të përfunduara deri më tani nga më shumë se 2 mijë pjesëmarrës nga Kosova.

Dr. Kujtim Shala, kryetar i Bordit për Edukim të Vazhduar profesional në MSh ka shquar rëndësinë e këtij programi që prej tij është cilësuar si shumë serioz, ndërsa dr. Faik Hoti, drejtor i Departamentit të Komunikimit në MSh, tha se në kohën e zhvillimeve të larta të teknologjisë informative, telemjekësia si program do të jetë edhe në ciklet e tjera e rëndësishme për ngritjen e njohurive dhe eksperiencave midis profesionistëve shëndetësor nga Kosova dhe vendet e tjera.

QTK, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Bordin për EVP, gjatë vitit 2008 dhe 2009 ka startuar dhe përmbyllur me sukses të plotë 2 cikle të ligjëratave në distancë.

Ligjëratat kanë qenë nga lëmi të ndryshme si Kirurgjia, Traumatologjia, Emergjenca, Telemjekësia, etj., dhe ato kanë qenë inter-aktive, të përcjella me pyetje, përgjigje dhe komente, të pasuruara pastaj edhe me cikël të ri ligjëratash, të zgjeruara edhe nga lëmi si ORL, Oftalmologjia, Kirurgjia e Fëmijëve, Kirurgji e Përgjithshme, Radiologjia dhe Interno, ndërkohë që programit i ishte bashkëngjitur edhe Qendra për Edukim të Vazhduar në Infermieri.

Vijuesit e këtyre ligjëratave i përshkruan ato si tejet të dobishme dhe në funksion të avancimit të dijeve profesionale. /Telegrafi/