Inspektorët e Inspektoratit të Tregut në Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) njofton se gjatë muajit shtator 2021 kanë pranuar mbi 180 ankesa të konsumatorëve, të cilët janë ankuar lidhur me shërbimet e telekomunikimit kabllor të ofruar nga një operator ekonomik.
Sipas MINT, pas analizimit të provave ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve.
“Inspektorët e tregut kanë realizuar inspektim tek operatori ekonomik, ku kanë analizuar dokumentacionin e dorëzuar nga operatori ekonomik, ankesat e konsumatorëve, provat materiale dhe në bazë të këtyre dëshmive ka rezultuar se operatori ekonomik ka bërë shkelje ndaj konsumatorëve”, thuhet në njoftim.
Ministria e Tregtisë thotë se ky operator kabllor ka bërë reklamë mashtruese për konsumatorët duke promovuar shërbime të cilat nuk i ofron ose ka qenë në dijeni paraprakisht se nuk mund t’i ofrojë.
Po ashtu, sipas MINT kjo kompani pa paralajmërim dhe pa asnjë njoftim paraprak ka ndërprerë transmetimin e disa kanaleve gjë që ka shtyrë një numër të madh të konsumatorëve që të ushtrojnë ankesë me pretendimin se janë mashtruar.
Gjithashtu në njoftim thuhet se ka vendosur kushte të padrejta në kontratë duke e kushtëzuar konsumatorin që në rast të shkëputjes së kontratës para afatit prej 12 muajsh, konsumatori obligohet të paguajë për muajt e mbetur edhe pse i njëjti nuk ka mundësi të shfrytëzojë shërbimet për të cilat ka lidhur kontratën.
MINT thotë se Inspektorati i Tregut ka iniciuar kërkesë për fillimin e procedurës kundërvajtëse pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë. /Telegrafi/