Kanë kaluar disa muaj nga zgjedhjet e fundit lokale, por 1671 komisionerë, ende nuk janë paguar nga ana e komisionit qendror të zgjedhjeve.
Njëri ndër ta është edhe Halil Mërgataj.
“Si komisioner i KQZ-së, nuk kemi marrë deri me sot, asnjë cent, problemi nuk e di ku është. Neve na është thënë që paratë do t’ua dërgojmë në bankë”, ka thënë Mërgataj.
Ai thotë se i është drejtuar disa herë, KQZ-së, por kjo e fundit, akoma nuk e ka kryer obligimin që ka ndaj tij.
“Kam ba kërkesën në KQZ, jam ardhë… kanë thënë, po e konfirmojmë edhe njëherë, shko në bankë, por banka thotë se asnjë cent nuk të ka ardhë prej KQZ-së, nuk e di ku është problemi”, tha më tej ai, përcjell Telegrafi.
Për t’i kryer këto obligime të bartura nga viti 2017, Komisioni Qendror i zgjedhjeve të fundit në muajin dhjetor pati kërkuar buxhet shtesë, 140 mijë euro buxhet shtesë nga Ministria e Financave.
Para pak ditësh, kërkesa e KQZ-së, u refuzua nga kjo ministri me arsyetimin se nuk ka buxhet.
Këtë e ka konfirmuar për RTVDukagjini, zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini.
“Ministria e Financave ka njoftuar KQZ-në se nuk ka mundësi të ndajë mjete shtesë. Njëherit i kemi rekomanduar KQZ-së që obligimet t’i mbulojë bazuar në ndarjet buxhetore të parapara me ligjin e buxhetit për vitin 2018-t, si dhe duke respektuar Ligjin e menaxhimit të financave publike, nenin 30.2, për harmonizimet brenda nën programeve të KQZ-së.
Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, nëpërmjet telefonit tha se KQZ, nuk ka gjetur mënyrën se si do t’i paguajë 1671 komisionerë./Telegrafi/