Site icon Telegrafi

Mbi 130 oficerë të Shërbimit Sekret janë infektuar me COVID-19 ose janë në karantinë

Më shumë se 130 oficerë të Shërbimit Sekret të caktuar në Shtëpinë e Bardhë dhe në udhëtimet e presidentit Donald Trump kohët e fundit kanë rezultuar pozitivë për COVID-19 ose janë në karantinë sepse ata mund të jenë ekspozuar ndaj virusit, raportoi The Washington Post të premten, duke cituar tre persona të njohur me agjencinë.

Burimet i thanë The Post se shpërthimi mund të lidhet me ndalesat e fushatës së presidentit para Ditës së Zgjedhjeve, përcjell Telegrafi.

Trump udhëtoi në disa shtete për të mbajtur tubime, ku shumë njerëz nuk morën masa për të ndihmuar në frenimin e transmetimit të virusit, të tilla si mbajtja e maskave dhe distancimi social, shkruan Business Insider.

Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, i tha The Post se administrata Trump e merr “çdo rast seriozisht”.

Ndryshe, disa njerëz në rrethin e Trump kanë testuar pozitivë për virusin gjatë javës së kaluar.

Aty përfshihet Mark Meadows, shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë; Ben Carson, sekretari i strehimit dhe zhvillimit urban; dy këshilltarë të fushatës, David Bossie dhe Corey Lewandowski; dhe një numër i personelit të Shtëpisë së Bardhë dhe personelit të Komitetit Kombëtar Republikan.

Presidenti dhe aleatët e tij shpesh kanë minimizuar ashpërsinë e virusit dhe kanë injoruar protokollet shëndetësore që nga fillimi i pandemisë.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë u përball me një shpërthim të ngjashëm të rasteve, duke përfshirë edhe vetë Trump. /Telegrafi/

Exit mobile version