Lajmi i plotësuar / Mbi 120 minatorët që kishin mbetur të ngujuar në kombinatin Trepça kanë filluar të dalin nga miniera.
Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Punëtorëve në këtë ndërmarrje, Gani Osmani.
“Është sanuar defekti i rrymës. Tashmë kanë filluar të dalin mbi 120 minatorët e ngujuar. Nuk ka të lënduar”, konfirmoi Osmani.
Mbi 120 minatorë që nga mëngjesi kanë mbetur të ngujuar në minierën e kombinatit Trepça.
Osmani po ashtu ka shtuar se kjo ka ardhur si shkak i defektit me rrymë. Ai shton se deri më tani nuk raportohet për ndonjë të lënduar.
“Ndërrimi i parë ka mbetur i ngujuar që nga ora 07:00. Kjo ka ndodhur nga defekti me rrymë, e cila ka është shkaktuar nga rrufeja. Ekipet e KEDS-it janë duke punuar për ta mënjanuar defektin. Aktualisht janë 123 punëtorë të ngujuar, pra tri horizontet e ndërrimit të parë. Për momentin nuk raportohet për ndonjë të lënduar dhe të gjithë janë mirë”, tha Osmani. /Telegrafi/