Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve(KQZ), kryeshefi ekzekutiv i Sekretariatit të KQZ-së Burim Ahmetaj ka njoftuar anëtarët e këtij Komisioni për përgatitjet e zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.
Ahmetaj po ashtu ka njoftuar se janë në përgatitje të qarkores së parë të buxhetit 2022-2024.
KQZ ka miratuar raportin financiar tre mujor janar – mars 2021, që ishte rreth 4.5 milionë euro.
Ndërsa, anëtari i Komisionit Sami Kurteshi ngiti çështjen e rritjes së shpenzimeve, për çka ai veçoi për letër, dreka zyrtare dhe për derivate.
“Mbi 11 mijë euro shpenzime për letër. Rritja e shpenzimeve për derivate. 7300 euro janë shpenzuar për dreka zyrtare për vitin 2020. Kërkoi sqarime veçanërisht për rritjen e shpenzimeve për dreka zyrtare, pasi viti i kaluar ka qenë vit pandemik”, tha Kurteshi.
Ndërsa, Arianit Elshani anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i cili prezantoi raportin e shpenzimeve, tha se trendi i këtyre shpenzimeve ka qenë më i ulët.
Sa i përket drekave zyrtare, ai tha se ato janë shpenzuar në raport me kryetrarët e KKZ-ve dhe për anëtarë të KQZ-së dhe sekretariatin për shujta.
Për zgjedhjet të rregullta që do të mbahen sivjet, Kurteshi ka thënë se nuk duhet të ketë mëditje për orarë shtesë.
Në këtë mbledhje po ashtu u tha se aktualisht në Kosovë janë të regjistruara 47 parti politike.
Ndërsa, në këtë mbledhje është ngritur nga anëtarët e VV çështja e kërkesave për qasje në dokumente publike brenda KQZ-së, të cilët kërkuan të jetë konform ligjeve në fuqi.
Sami Kurteshi anëtar i KQZ theksoi se çdo anëtarë i KQZ-së ka të drejt të ketë qasje në dokumente publike.
Sipas Kurteshit kolegut të tij Alim Rama i është refuzuar nga Sekretariati kërkesa me shkrim për qasje në një dokument publik.
“Askund nuk ka hierarki për kërkesë në qasje dokumente publike. Ne nuk kemi të drejt me bërë publike të dhënave personale, ndërsa të gjitha dokumentet tjera duhet të jenë publike”, tha ai.
Anëtari tjetër nga VV Alim Rama për këtë çështje ka kërkuar të formohet një Komision Disiplinor./kp/