Historianët zviceranë kanë identifikuar të paktën 1002 raste të abuzimit seksual të lidhura me Kishën Katolike që nga mesi i shekullit të XX-të. Deri më tani janë identifikuar 510 dhunues të akuzuar dhe 921 viktima.
Kjo është hera e parë që një ekip i pavarur kërkimor ka studiuar dokumente të abuzimit seksual nga arkivat e kishës në Zvicër, raporton euronews.
“Rastet që kemi identifikuar janë padyshim vetëm maja e ajsbergut. Ne supozojmë se vetëm një përqindje e vogël e rasteve janë raportuar ndonjëherë”, thanë historianët Monika Dommann dhe Marietta Meier, drejtuese të projektit.
Raste të shumta abuzimi brenda Kishës Katolike janë mbajtur, mbuluar ose banalizuar. Arkiva të shumta, shtuan historianët, nuk janë analizuar ende dhe në dy dioqeza u gjetën dëshmi se dokumentet ishin shkatërruar.
Rastet ndryshojnë nga shkeljet problematike të kufijve të sjelljes deri te abuzimet e rënda, sistematike dhe shumëvjeçare, thuhet në studim. Autorët ishin priftërinj, punonjës të kishës dhe anëtarë të urdhrave fetarë në Zvicër. Ata shpesh transferoheshin për të shmangur ndjekjen penale nga autoritetet laike.
Në të njëjtën kohë, interesat e Kishës Katolike dhe të personaliteteve të saj u vunë përpara mirëqenies dhe sigurisë së famullitarëve, thekson studimi. Rreth 39 për qind e viktimave ishin gra dhe pothuajse 56 për qind ishin meshkuj. Pothuajse tre të katërtat ishin fëmijë ose adoleshentë. Me pak përjashtime, abuzuesit ishin burra. /Telegrafi/