Site icon Telegrafi

Mbi 100 persona në Korenë e Jugut rezultojnë pozitivë për herë të dytë nga coronavirusi

Më shumë se 100 persona në Korenë e Jugut që u shëruan plotësisht nga coronavirusi, kanë rezultuar pozitivë për herë të dytë, ndërsa vendi po shqyrton heqjen e masave të distancimit shoqëror.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, virusi vdekjeprurës është “riaktivizuar” në gjithsej 116 pacientë, ndërkaq 48 prej tyre vijnë nga qyteti Daegu, njëherit epiqendra e coronavirusit në Korenë e Jugut.

Drejtori i qendrave koreane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Jeong Eun-keyng, tha se virusi mund të jetë riaktivizuar pasi mbeti i “fjetur” në këta pacientë.

Vendi raportoi javën e kaluar 51 raste të pacientëve që rezultuan pozitivë, pasi u pastruan nga virusi.

Megjithatë Jeong vuri në dukje se deri më tani të njëjtit nuk ia kanë transmetuar virusin dikujt tjetër.

Ndërkohë, kryeministri korean, Chung Sye-kyun, tha se qeveria së shpejti do të heqë masat e kufizimeve të qëndrimit në shtëpi, të cilat janë në fuqi deri të paktën më 19 prill.

Ndryshe, Koreja e Jugut ka konfirmuar më shumë se 10,500 raste të COVID-19, me më shumë se 7,447  të shëruar nga virusi. /Telegrafi/

Exit mobile version