Telegrafi

Mbi 100 mjekë nga Maqedonia aplikojnë për punë në Gjermani

Mbi 100 mjekë dhe infermierë duan të largohen nga vendi dhe të angazhohen nëpër spitalet e Gjermanisë. Ata shprehen të pakënaqur si nga kushtet, nga paga por edhe nga respekti i cili nuk ekziston më ndaj mantelit të bardhë. Fatlum Memeti nga Kumanova, është infermier i diplomuar tanimë tre vite, por pavarësisht mungesës së madhe të këtij kuadri nëpër spitalet e vendit, ai s’po gjen punë askund. Memeti shprehet i prerë se dëshiron angazhimin e tij si infermier, ta ushtrojë jashtë kufijve të Maqedonisë.

“Jam i interesuar që të shkojë në Gjermani, kam kryer shkollën e infermierisë. Kam konkurruar në shumë vende por s’ka pas. Tre vite kam që kam diplomuar. Për kushte më të mira po shkoj. Në Gjermani është jeta më e mirë, kushtet janë më të mira. Këtu nuk kemi kushte, rroga është e dobët për atë kemi vendosur të shkojmë”, deklaroi për Alsat, Fatlum Memishi.

Qendra gjermane “Opportunity” e cila mundëson trajnimin e mjekëve tanë të cilët duan të punojnë në Klinikat Gjermane, sot qëndroi në Shkup për të njoftuar mjekët e interesuar me kushtet që kërkohen për punësim në Gjermani. Në mesin e të interesuarve ishin edhe mjek me përvojë dhjetëra vjeçare, e që kishin ndarë mendjen se më nuk duan të jenë pjesë e sistemit tonë shëndetësor. Përfaqësuesit e kësaj qendre si dhe punëdhësit thonë se interesimi i mjekëve vendor është i lartë.

Nga viti në vit sa vjen e rritet numri i mjekëve dhe infermierëve të cilët lëshojnë vendin. Nga ana tjetër shumë mjekë të diplomuar nuk gjejnë punë krahas nevojës së madhe.

Të dhënat e fundit të Odës së Mjekëve kanë treguar se nga 220 studentë të mjekësisë të cilët diplomojnë, 173 prej tyre kërkojnë të punojnë në shtete e Bashkimit Evropian. Pavarësisht këtij alarmi, sistemi shëndetësor assesi të zbatojë reforma thelbësore.