Edhe 100 mijë e 620 doza të vaksinës anti-COVID pritet të arrijnë së shpejti në Kosovë.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Programi i UNICEF në Kosovë.
Në këtë njoftim thuhet se pritet që këto vaksina të arrijnë përmes COVAX Facility.
“Që nga arritja e kontigjentit të parë prej 24,000 dozave të vaksinave COVID-19 në muajin mars, Kosova ka pranuar në total 62,400 doza të vaksinës përmes COVAX Facility. Në ditët në vijim pritet të arrijnë në Kosovë përmes COVAX Facility edhe 100,620 doza tjera të vaksinës COVID-19”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se të hënën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë janë realizuar 550 vaksinime, ndërkohë vaksinimi është zhvilluar edhe në komunat tjera.
MSH njofton se numri i përgjithshëm i të vaksinuarve në nivel vendi është 57,615.
“Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuara në të gjithë vendin”, thuhet në njoftim.
Ministria njofton se të hënën ka pranuar edhe 3510 vaksina që janë pjesë e asistencës së BE-së për vaksinimin kundër COVID-19 në Kosovë.
Krahas planit të vaksinimit, MSh u bën thirrje qytetarëve që të regjistrohen dhe të aplikojnë për marrjen e vaksinës kundër COVID-19. /Telegrafi/