Lumturimi i 38 martirëve të Kishës Katolike do të mbledhë të shtunën në qytetin e Shkodrës autoritete të larta të Vatikanit, autoritete shtetërore dhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend. Pritet që mesha solemne do të ndiqet nga mbi 10 mijë pelegrinë. Në përbërje të delegacionit të Vatikanit do të jenë edhe pesë kardinalë.
Mesha e shenjtë do të zhvillohet të shtunën në orën 10:00 në Katedralen e “Shen Shtjefnit” dhe do të kremtohet nga kardinali Angelo Amato.
Famullitari i Shkodrës, Dom Artur Jaku, shprehet se atmosfera është e ngrohtë dhe kanë filluar të vijnë njerëz nga vende të ndryshme të botës.
“Flitet për 38 dëshmitarë të fesë dhe kombit, që tani nuk do t’i përkasin vetëm Shqipërisë, por janë universalë. Ata do të lajmërojnë se shqiptarët janë një komb që kanë çfarë t’i falin Evropës dhe botës”, tha ai.
Ndërsa, arqipeshkvi i Potenzes i ardhur në Shkodër me rastin e Meshës së Shenjtë, Salvatore Logorio, theksoi: “Mendoj se kjo ditë i shërben Shqipërisë, por bëhet mbi të gjitha është një frymëmarrje për të gjitha ato toka ku ka persekutim”!
Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e djeshme rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike që dënon krimet e komunizmit ndaj klerikëve. Rezoluta shpreh mirënjohjen e veçantë për rolin dhe veprimtarinë e përfaqësuesve të klerit në mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave e lirive themelore të njeriut. Rezoluta dënon fuqimisht regjimin totalitar komunist dhe krimet e kryera ndaj klerikëve shqiptarë.
Kuvendi e miraton këtë dokument dy ditë para Lumturimit nga Vatikani të 38 martirëve të klerit katolik shqiptar. /KP/