Telegrafi

Mbi 10.000 të mbytur në Mesdhe që prej vitit 2014

 

Agjencia për refugjatë e Kombeve të Bashkuara thotë se më se 10 mijë vetë kanë humbur jetën, prej vitit 2014, në përpjekje që nëpër Detin Mesdhe të kalojnë në Bashkimin Evropian.

Në raportin e UNHCR-së të publikuar sot, theksohet se vdekjet e migrantëve në det janë shtuar dukshëm në vitin 2016, duke arritur në gjithsej 2,814, prej fillimit të vitit.

Aktualisht, qindra njerëz po e humbin jetën gjatë javëve të fundit në një seri të fundosjeve vdekjeprurëse të anijeve në Detin Mesdhe.

Ky raport u publikua derisa Bashkimi Evropian i ka paraqitur planet e reja në përpjekje për ngadalësimin e fluksit të migrantëve ilegalë nga Afrika.

UNHCR thekson se numri i njerëzve që kanë humbur jetën prej fillimit të vitit 2014 është 10,085, transmeton REL.

Planet e reja të shpallura të Evropës për ngadalësimin e fluksit të migrantëve, parashohin shfrytëzime të fondeve të BE-së për promovimin e investimeve private deri në 60 miliardë euro në vendet kryesore të origjinës së migrantëve, e veçanërisht në Etiopi, Nigeri, Mali dhe Senegal.