Site icon Telegrafi

Mbi 1 mijë turistë vizitojnë qytetin çdo ditë Gjirokastrën

Programi i madh i qeverisë shqiptare, ai i Rilindjes Urbane ka sjellë efekte të mëdha në ekonominë e vendit. Investimet infrastrukturore që kanë transformuar qendrat e qyteteve ndikimin e parë kanë pasur atë të rritjes së interesit të turistëve, sidomos në qytete me potenciale të mëdha për turizmin kulturor ku efektet financiare janë edhe më të mëdha.

Kryeministri Edi Rama, përmes një videoje pasqyruese të efekteve ekonomike të Rilindjes Urbane në Gjirokastër shprehet se investimet në infrastrukturë në qytetin e argjendtë kanë sjellë impakt të menjëhershëm në turizëm.

Konkretisht, ndërtimi i infrastrukturës nëntokësore, duke përfshirë kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha, rrjetin e ujësjellësit, rrjetin e telefonisë, fibra optike, si dhe investimet e integruara me projektet e mëparshme dhe ato të reja në këtë qytet kanë rritur në mënyrë të vrullshme numrin e turistëve.

Projekti për rikualifikimin urban, ku numërohen plot 6 000 metër katrorë kalldrëme të rikualifikuara, të ndërtuara sipas teknikës së vjetër, si dhe mbi 900 metër katrorë hapësira publike të rikualifikuara, sheshe, shkallë dhe sokake kanë bërë që ndikimi për vitin 2018 të përkthehet me mbi 150 mijë turistë.

Mbi 1000 turistë në ditë kanë vizituar qytetin e Gjirokastrës i cili po shihet gjithnjë e më shumë edhe si një minierë ari sa i përket bizneseve turistike. Mbi 2 milionë euro investime nga biznesi privat që po lulëzon, si dhe 2 hotele të reja të ndërtuara në fillim të vitit 2019 kanë rritur ndjeshëm kapacitetet akomoduese në Gjirokastër.

Para investimeve infrastrukturore, Pazari i Vjetër i Gjirokastrës kishte gjithsej 4 bujtina. Ndërsa sot, pas transformimit të Rilindjes Urbane, në Pazarin e Vjetër ka plot 70 bujtina dhe mbi 10 hotele. /ATSH/

Exit mobile version