Site icon Telegrafi

Mbi 1.6 milion euro vetëm për pagat e deputetëve

Mbi 1 milion e 620 mijë euro janë paguar për nëntë muajt e parë të këtij viti vetëm për pagat e deputetëve të Kuvendit, pa përfshirë beneficionet për punën në komisione, mëditjet e majme që marrin, pjesëmarrjet në seanca dhe shpenzimet për udhëtime zyrtare, përfshirë biletat e aeroplanëve dhe akomodimi në hotele.
Luksi i deputetëve i ka kushtuar goxha shtrenjtë buxhetit të shtetit prej gati 2 milionë euro përfshirë të gjitha shpenzimet e tyre, derisa nuk janë treguar të zellshëm njësoj edhe në miratimin e ligjeve, të cilët nga janari i sivjetmë deri në tetor kanë arritur të miratojnë vetëm 28 ligje.

Deputetët e Kuvendit llogaritet të kenë paga të mira dhe të ardhura më të majme, të cilët marrin nga 1500 euro pagë mujore pa i llogaritur këtu përfitimet tjera shtesë që marrin për çdo aktivitet të tyre. Sipas një përllogaritjeje, del se nga buxheti i Kosovës vetëm për pagat e 120 deputetëve ndahen 2 milionë e 142 mijë euro, por që në këtë kuadër nuk hyjnë beneficionet tjera.

Gazeta “Zëri” ka arritur të sigurojë një dokument, i cili tregon se janë shpenzuar qindra e mijëra euro për mëditjet e ligjvënësve dhe akomodimin e tyre nëpër hotele gjatë udhëtimeve zyrtare. Nga janari i sivjetmë e deri më tash nga buxheti i shtetit janë harxhuar mbi 57 mijë euro vetëm për mëditjet e deputetëve. /Telegrafi/

Exit mobile version