Telegrafi

Mbeturinat mbulojnë Batllavën

Liqeni i Batllavës cilësohet si një nga bukuritë e Rajonit të Prishtinës, e që shfrytëzohet veçanërisht për kampe dhe sporte ujore, por kohëve të fundit përreth liqenit janë grumbulluar mjaft mbeturina.

Si pasojë e mbeturinave të shumta që gjenden brenda dhe rreth tij, vendi ka marrë pamje krejtësisht tjetër.

Liqeni i Batllavës

Asamblisti nga radhët e LDK-së në Podujevë, Qendrim Softolli, në një deklaratë për Telegrafin, u shpreh se ndotja e kësaj pasurie natyrore prek jo vetëm mjedisin po edhe shëndetin e njerëzve.

“Ndotja e Liqenit të Batllavës është një problem serioz që prek jo vetëm mjedisin natyror, por edhe shëndetin e njerëzve që jetojnë në zonën përreth. Edhe më alarmante është kur e dimë qe ky liqen shërben edhe për ujë te pijes” tha ai.

Sipas Softollit, qeverisja lokale dhe ajo qendrore duhet të marrin masa të menjëhershme për parandalimin e kësaj dukurie.

“Është e rëndësishme që qeverisja lokale por edhe ajo qendrore të marrin masa të menjëhershme për të zgjidhur këtë çështje, duke përfshirë përmirësimin e sistemeve të kanalizimit dhe trajtimin e ujërave të zeza para se të derdhen në liqen.

Shqetësim tjetër është edhe ndotja e ambientit nga mbeturinat të cilat i sjellin vizitorët që frekuentojnë liqenin, gjë që mendoj se edhe këtu komuna duhet të merret seriozisht me këtë problematik dhe të ndërmerr masat e duhura për parandalimin e kësaj dukurie tepër negative dhe të harton një plan strategjik për të luftuar ndotjen dhe dëmtimin e kësaj zone”, tha Softolli.

Gjithashtu Liqeni Batllava është një nga liqenet më të mëdhenj në Kosovë që ndodhet në pjesën lindore të Kosovës. Aty gjenden edhe dy diga të ujit të cilat furnizojnë Prishtinën dhe Podujevën. /Telegrafi/