Shqipëria mund të gjobitet për tentativën e kalimit të mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës.
Në një lidhje direkte për emisionin e mëngjesit “Dita Jonë” në A2 CNN, ekspertja e mjedisit, Françeska Korançe, thotë se vendi ynë ka shkelur Konventën e Bazelit dhe pritet të ketë masa.
“Shqipëria është pjesë e Konventës së Bazelit dhe si e tillë ajo është e detyruar të njoftojë për çfarëdo lloj mbetje të rrezikshme që transportohet nga vendi jonë në vende të Konventës dhe akoma më keq nëse këto vende nuk janë pjesë e saj. Kjo do të thotë se mund të ketë sanksionim nga Konventa e Bazelit në lidhje me procedurat që ti ndjek për ekspertët e mbetjeve. Patjetër që mund të ketë gjobë, por edhe penalizime të tjera”, tha Françeska Korançe në A2 CNN.
Mëngjesin e së hënës, Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuara me mbetje toksike menjëherë sapo janë rikthyer në Portin e Durrësit.
Në vendimin për sekuestrim të Prokurorisë theksohet se bëhet fjalë për 102 kontejnerë, të cilët tashmë janë urdhëruar të depozitohen në një vend të sigurt dhe të monitorohen 24 orë me kamera, shkruan A2.
Anija që i transporton ato është ankoruar mëngjesin e sotëm në radën e portit të Durrësit. Anija “Molive” është ankoruar rreth 1.5 milje larg portit. /Telegrafi/