Telegrafi

Mbetjet e rrezikshme, Bardhi: Ka dyshime se Shqipëria ka shkelur konventën e Bazelit

Ka nisur me akuza interpelanca me kryeministrin Edi Rama nga kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi në lidhje me mbetjet e KURUM.

Ky i fundit ndërsa bëri një përmbledhje të gjithë itineratit që kanë përshkruar kontenierët me mbetjet e rrezikshme, akuzoi Kryeministrin Edi Rama si organizatorin e këtij aktiviteti të paligjshëm.

Ai theksoi se mbetjet (pluhur i furrës) janë nisur nga Porti i Durrësit me destinacion Azinë dhe se sipas tij, nuk është rast i izoluar, por dyshohet se Shqipëria ka shkelur Konvenmtën e Bazel dhe traktatin e Kombeve të Bashkuara.

“Në 8 gusht 2024 tre organizata mjedisi kanë denoncuar se 2 anije po i transportonin lëndë të rrezikshme nga Porti i Durrësit drejt Azisë. Anijet ishin nisur pa konfirmimin se vendi pritës (Tajlanda) do i pranonte. Kur qeveria e Tajlandës mësoi për ngarkesën refuzoi t’i pranonte.

Pluhur i furrës, mbetje të dëmshme për shëndetin dhe mjedisin. Ky lloj pluhuri kërkon trajtim të kushtetueshëm. Aktualisht sipas informacioneve, dy anije me 100 kontenierë me 816 ton mbetje po kthehen në Portin e Durrësit.

Porti i Durrësit edhe në raste të tjera është shfrytëzuar për të nxjerrë në mënyrë të paligjshme mbetje të rrezikshme helmuese në disa vende aziatike. Nga Porti i Durrësit çdo 3-4 muaj është transportuar pluhur helmues që del nga oxhaqet e fabrikave metalurgjike.

Përfaqësuesi i organizatës amerikane ka deklaruar se pas hetimeve, dërgesa të kësaj natyre bëhen rregullisht nga Porti i Durrësit. Hiri i eksportuar nga Porti i Durrësit i takon Sokolaj Sh.p.k dhe mbetjet kanë të bëjnë me KURUM që prodhon çelik dhe hekur.

Rrjeti i aksionit të BAZEL në prill nga Porti I Durrësit janë nisur disa ton mbetje të rrezikshme drejt Kinës dhe pritet të kthehen sërish.

Ka dyshime se Shqipëria ka shkelur konventën e BAZEL, traktatin e OKB-së. Nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të izoluar, por me një aktivitet të mirëfilltë kriminal që përfshin përgjegjësi për veprime të paligjshme të disa autoriteteve shtetërore në varësi të Kryeministrit si dhe mungese neglizhence kriminale të mbikëqyrjes së aktivitetit të paligjshëm.

Kemi thirrur kreun e aktivitetit Edi Rama për të ditur se për çfarë mbetjesh bëhet fjalë, kujt i përkasin këto mbetje, çfarë veprimesh kanë kryer autoritetet, si kanë trajtuar, çfarë aktesh mbikëqyrëse kanë ndërmarrë institucionet, kush i lejoi të hynte e dilnin nga dhe përmes Portit të Durrësit”, u shpreh Bardhi.

Akuzave të këtij të fundit, Kryeministri Edi Rama iu kundërpërgjigj duke thënë se mbetjet nuk kanë qenë të rrezikshme dhe se ngarkesa të tilla janë pranuar rregullisht nga vende tranzit dhe vendet pritëse. Rama i konsideroi akuzat e Bardhit si aludime psiko-patologjike./RTSH