Policia e Kosovës, ka mohuar lajmin se është gjetur trupi tjetër i policit, Armend Trena.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi ka thënë për Telegrafin se nuk është gjetur trupi i policit të dytë.
Organe të brendshme shtazore dyshohet se janë gjetur në Lepenc, në vendin ku sot u kërkua trupi i policit Armend Trena.
“Rreth orës 17:30 jemi njoftuar se janë gjetur disa mbetje- organe të brendshme saktësisht mushkri. Kemi njoftuar mjekësinë ligjore dhe sipas mjekut në vendin e ngjarjes dyshohet se janë mbetje shtazore”, tha Gashi.
Ai tregoi se kërkimet për trupin e policit do të vazhdojnë edhe nesër.
“Nesër konfirmohet edhe zyrtarisht nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në lidhje me këtë rast. Për sonte është duke punuar vetem bageri, kërkimet do të vazhdojnë prapë nesër”, tha Gashi.
Në ndërkohë, sot në fshatin Stagovë të Kaçanikut i është dhënë lamtumira e fundit policit Malsor Dashi, trupi i të cilit u gjet dje në lumin Lepenc pas katër ditësh kërkime.