Site icon Telegrafi

Mbeti shtatzënë me 31-vjeçarin, adoleshentja nga Mallakastra dhe familja e saj braktisin foshnjën

Një vajzë e mitur nga Fratari i Mallakastrës, ka sjellë në jetë një foshnje. 15-vjeçarja ka kryer lindjen në qendrën shëndetësore të fshatit e asistuar nga infermierja dhe mjeku, por shfaqi probleme shëndetësore dhe u dërgua bashkë me foshnjën e sapolindur në maternitetin e Fierit.

Aktualisht, e mitura dhe foshnja gëzojnë shëndet të plotë, por rasti ka tronditur mjekët e maternitetit të cilët referuan ngjarjen në polici.

Si pasojë, policia ka shpallur në kërkim një 31-vjeçar nga Mallakastra, i cili sipas deklarimeve të vajzës është babai i foshnjes.

15-vjeçarja ka thënë në deklarimet e saj se ka kryer marrëdhënie seksuale me dëshirën e saj me të dhe ka mbetur shtatëzënë. Vajza është shoqëruar gjatë kësaj kohe nga e ëma, e cila ka deklaruar në polici se nuk ishte në dijeni të shtatëzanisë së vajzës.

Psikologë të komisariatit dhe maternitetit të Fierit, po asistojnë qëndrimin dhe marrjen në pyetje të vajzës. E mitura u ka treguar fotot e 31-vjeçarit efektivëve të policisë si dhe identitetin e tij, por ka refuzuar të japë detaje duke kërkuar kohë për t’u qetësuar.

Në deklarimet e para e ëma e 15-vjeçares ka thënë se nuk do ta mbajë foshnjen, madje ka kërkuar të largohen bashkë me vajzën duke e lenë vogëlushen e sapolindur në maternitet.

Por stafi mjekësor i ka kërkuar të presin, për të dërguar foshnjen në një qënder të posacme për foshnjat e sapolindura ne Tiranë.

Aty do të qëndrojë 40 ditë dhe më pas nëse e ëma nuk e merr, dërgohet në befotrof. E mitura jeton me të ëmën, vëllain 19-vjeç dhe gjyshin në Fratar të Mallakastrës, ndërsa i ati është emigrant në Greqi.

Exit mobile version