Lidhja Demokratike e Kosovës javën që po lëmë pas ka mbajtur Këshillin e Përgjithshëm, ku janë zgjedhur nënkryetarët, anëtarët e Kryesisë dhe të Forumeve.
Por jashtë këtyre organeve të partisë kanë mbetur jashtë figura të njohura të LDK-së, ndër ta edhe profesori i njohur, Valon Murtezaj.
Gjatë kësaj jave Murtezaj reagoi për herë të dytë lidhur me zhvillimet në LDK, duke thënë se i ndërgjegjshëm për peshën e vendimeve dhe pasojave që merren në Kryesinë e partisë, nuk mund të rri i heshtur.
Ai thotë se “të dehur nga ‘festa’ e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën”.
Lexoni të plotë reagimin e Murtezajt:
Në Kryesinë e LDK-së merren vendime për qëndrimet e LDK-së, në raport me çështjet më të rëndësishme. Kjo përfshin edhe qëndrimet për interesa nacionale të Republikës së Kosovës.
I ndërgjegjshëm për peshën e këtyre vendimeve dhe pasojave, unë nuk mund të rri heshtur.
Pas mbylljes së derës dhe mundësisë, i gjendur në rrethana të pamundësisë për të shprehur qëndrimet dhe pikëpamjet e mia, në nivelin më të lartë të strukturës organizative të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në Kryesinë e saj, do të më duhet dhe do të vazhdoj që qëndrimet e mia t’i shpalos përmes formave të tjera të komunikimit me qytetarin dhe publikun në përgjithësi.
Përgjatë historisë është e dëshmuar se mentaliteti autoritar një gjë nuk e kupton, se zëri i të vërtetës nuk mund të shuhet.
Të dehur nga “festa” e pushtetit të instaluar në nivelin më të lartë të LDK-së, ata e kanë ngatërruar shënjestrën.
Si rrjedhim, në kohët që po vijnë, do të vazhdoj të jem prezent për të shfaqur me ndërgjegje, vendosmëri dhe përgjegjësi qytetare mendimet dhe qëndrimet e mia, gjithë atë që në bindjen time e vlerësoj se është në shërbim të interesit më të lartë për qytetarët e Kosovës dhe interesat nacionale të Republikës së Kosovës.
Për Liri dhe Demokraci, i rrënjosur në Dardaninë Antike, për Kosovën evropiane, gjithmonë. /Telegrafi/