Telegrafi

Mbetet në paraburgim kryetari i Kllokotit, Bozhidar Dejanoviq

Gjykata e Apelit, e ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e avokatit mbrojtës, kundër caktimit të masës së paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj të pandehurit Bozhidar Dejanoviq.

Në këtë mënyrë, kjo gjykatë e ka lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 13.03.2021, sipas të cilit i pandehuri duhet të qëndroi në paraburgim deri më 12.04.2021.

B.D. që është kryetar i Komunës së Kllokotit, po dyshohet nga ana e Prokurorisë Speciale, se ka kryer veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Gjykata e Apelit, vlerësoi se ka bazë ligjore për caktimin e masës së lartëcekur, meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se ai e ka kryer veprat penale, për të cilën po dyshohet, e po ashtu ekzistojnë rrethana të posaçme që e bëjnë të besueshme friken se me gjetjen në liri, ai mund të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale apo të ndikojnë në prova ose dëshmitarë”, thuhet në njoftimin e bërë nga Gjykata e Apelit.

Gjykata konstatoj se aplikimi i ndonjë mase tjetër më të butë, në këtë fazë nuk është i përshtatshëm. /Telegrafi/